Zbulohen emrat e gjyqtarëve në Apel për rastin e krerëve të UÇK-së
Janë caktuar tre gjyqtarët në Panelin e Apelit në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale.
Gazetari Besian Beha ka bërë me dije se gjyqtarët në fjalë janë Michele Pichard, kryetare e Penaelit, ndërsa Kai Ambos dhe Nina Jorgensen janë anëtarë.
Ai ka njoftuar tutje se ky panel ka qenë i njëjti edhe në rastet e Salih Mustafës dhe Pjeter Shales.
“Ekskluzive: Michele Pichard, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen, jane gjyqtaret e caktuar ne Panelin e Apelit ne rastin e krereve te UÇK-se.
Michele Pichard – Kryetare e Panelit (France)
Kai Ambos – Anetar (Gjermani)
Nina Jorgensen – Anetare (Norvegji)
Ky panel ka qene i njejti edhe ne rastet e Salih Mustafes dhe Pjeter Shales”, ka shkruar ai.
Biografia e gjyqtarëve sipas Dhomave të Specializuara:
Michele Picard:
Gjykatësja Michele Picard është gjykatëse e Gjykatës së Apelit në Paris që prej qershorit 2013. Nga 2008 deri më 2013, ajo ishte gjykatëse në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Nga 2007 deri më 2008, u emërua anëtare e Panelit Këshillues për Të drejtat e Njeriut në Kosovë dhe gjatë periudhës 1996-2003 ajo kryesoi Dhomën për Të drejtat e Njeriut në Bosnjë-Hercegovinë. Më 2005, ajo u emërua eksperte e pavarur për Gjendjen e Të drejtave të Njeriut në Uzbekistan. Ajo gjithashtu punoi për Këshillin e Evropës si eksperte për projekte të përafrimit të legjislacionit vendor me atë evropian për të drejtat e njeriut në Maqedoni, Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë. Gjykatësja Picard është e diplomuar si juriste nga Universiteti i Parisit. Më 1992, ajo kreu shkollën për gjykatës në Bordo (Bordeaux).
Kai Ambos:
Gjykatësi Kai Ambos ka qenë kreu i katedrës për të drejtën penale ndërkombëtare dhe profesor i të drejtës penale, procedurës penale, të drejtës krahasuese dhe të drejtës penale ndërkombëtare në Universitetin e Gëtingenit (Göttingen) në Gjermani që nga maji 2003. Më 2013, ai u emërua drejtor i Qendrës Studimore për Të drejtën dhe Procedurën Penale të Amerikës Latine (CEDPAL) në Universitetin e Gëtingenit. Gjithashtu ai ka punuar si avokat i mbrojtjes dhe konsulent në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Që nga marsi 2006, gjykatësi Ambos ka punuar si gjykatës i përkohshëm në Gjykatën Provinciale të Saksonisë së Poshtme në Gëtingen prej së cilës u delegua në Gjykatën e Apelit të Braunshvajgut (Braunschëeig) për vitin 2015. Gjykatësi Ambos ka kryer studimet për jurisprudencë dhe shkenca politike në universitetin e Frajburgut në Brajzgau (Freiburg im Breisgau) në Gjermani, dhe në atë të Oksfordit (Britani e Madhe), e Mynihut (Gjermani). Më 1990 kaloi provimin e parë shtetëror dhe më 1994 provimin e dytë shtetëror që i mundësoi ushtrimin e profesionit të avokatit. Më 1992, gjykatësi Ambos u doktorua dhe më 2001 fitoi aftësimin profesional si ligjërues universitar (të dyja nga Universiteti i Mynihut). Ai ka botuar gjerësisht në fushën e të drejtës dhe procedurës penale, të drejtës krahasuese dhe të drejtës penale ndërkombëtare.
Nina Jorgensen:
Gjykatësja Nina H. B. Jorgensen është profesore e të drejtës publike ndërkombëtare në Universitetin e Southamptonit që nga viti 2019 dhe ishte zëvendësdekane e Fakultetit Juridik (hulumtim) nga viti 2019 deri më 2021. Para kësaj ajo ka qenë profesore e të drejtës (2014-2018) dhe ndihmësprofesore e të drejtës (2010-2014) në Universitetin Kinez të Hong Kongut. Nga viti 2001 deri 2010, ajo ka punuar në detyra të ndryshme në Gjykatën Speciale për Sierra Leonen, ndër të cilat edhe si juriste e lartë për apelet dhe këshilltare e lartë juridike për Zyrën e Prokurorit, si dhe në Dhomat e Jashtëzakonshme në Gjykatën e Kamboxhias, dhe në Tribunalët Penalë Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën. Ajo gjithashtu ka punuar për Zyrën e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut në Varshavë si këshilltare juridike për Tolerancë dhe Mosdiskriminim. Ajo gjithashtu ka këshilluar OKB-në dhe organizatat joqeveritare për çështje të lidhura me të drejtën penale ndërkombëtare. Gjykatëse Jorgensen ka gradën doktor i shkencave prej Universitetit të Oksfordit dhe është diplomuar në Universitetin e Bristolit (MB). Ajo është pranuar në Shoqatën e Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (Gray’s Inn) në vitin 1999 dhe e ka licencën si avokat. Ajo ka botuar gjerësisht në fushën e të drejtës penale ndërkombëtare dhe të drejtës procedurale procedurave.



