Fjalim i fuqishëm i Besnik Tahirit në Komisionin për Legjislacion: Pse nuk po vjen ligji për Dhomat e Specializuara? A ka mundësi të kemi një përgjigje?

30 shtator 2026 | 13:19

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kërkuar sot në Komisionin për Legjislacion që Qeveria ta sjellë në Kuvend ligjin që lidhet me Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Tahiri tha se një nga çështjet më të rëndësishme aktualisht është aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe paralajmëroi se, nëse Kuvendi nuk arrin dakordim për hapat e mëtejshëm, vendi mund të shkojë në zgjedhje më 6 tetor.

Ai u ndal edhe te vendimi i 16 shtatorit për ish-krerët e UÇK-së, duke thënë se çështja duhet të trajtohet me më shumë seriozitet.

“Duhet të flasim sinqertë. Në qoftë se nuk ka vullnet me ardhë sot ligji, i cili është në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Kuvendin e Kosovës, me na thënë ky është qëndrim politik”, deklaroi Tahiri.

Tahiri theksoi se legjislacioni nuk është statik dhe se, pas dhjetë vitesh, sipas tij, duhet të rishikohen standardet juridike dhe të nxirren mësime nga përvoja e deritanishme.

Ai ngriti gjithashtu çështjen e llogaridhënies dhe monitorimit të institucioneve që lidhen me këtë proces.

Në fund, Tahiri kërkoi nga përfaqësuesit e Qeverisë që të kontaktojnë me ministren, Donika Gërvalla-Schwarz, për të kërkuar që ligji të procedohet në Kuvend.

“A ka mundësi në emrin tonë për ta thirrur ministren Gërvalla-Schwarz, me i thënë: zonjë, a mund e sjell atë ligj se jemi bllokuar, nuk po mundemi të ecim përpara dhe është rrezik që mos me pas një lëvizje me këtë ligj? Atëherë rreziku është se më 6 tetor shkojmë në zgjedhje. A ka mundësi me pas një përgjigje?”, përfundoi Tahiri.

Deklarata e plotë e shefit të grupit parlamentare të Aleancës, Besnik Tahirit në Komisionin për Legjislacion:

“Në këtë takim si çështje të parë, kemi problemin ma të madhe sot në parlament – aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese. Në qoftë se, ne si Kuvend nuk arrijmë që të kemi një dakordim në raport me rrugëtimin përpara, Kosova do të shkojë në zgjedhje më 6 tetor. Një çështje e cila është bukur jetike dhe e cila vjen si rrjedhojë e një vendimi të padrejtë, një vendimi i cili në masë të madhe e ka kthyer Kosovën në një situatë kur duhet reflektim më serioz. Po flas për vendimin e 16 shtatorit, nuk mund ta tejkaloj, sidomos ne që jemi në këtë Komision për Legjislacion. Unë e konsideroj jetike, edhe dje kam bërë një thirrje, po e bëjë edhe sot. Duhet të flasim sinqertë, në qoftë se nuk ka vullnet me ardhë sot ligji, i cili është në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Kuvendin e Kosovës, me na thënë ky është qëndrim politik. Pra, është qëndrim politik. Në qoftë se, ka ndonjë analizë, vlerësim se ky ligj nuk është boll, se për mendimin tim – ky ligj nuk është boll. Është ajo që kemi shkruar në deklaratë, ku ka qenë edhe z. Rrustemi që duhet ta bëjmë këtë deklaratë për katër çlirimtarët tanë që janë në Hagë. A ka mundësi që veç të flasim në një moment, për këto gjashtë ditë, veç sinqertë të flasim.
Çka i bie kjo. Ta dimë pse nuk po vjen ligji. E thash dje, nuk është bre analizë apo vlerësim analitik i një legjislacioni për NASA-n, është shumë e thjeshtë, edhe ai që nuk është jurist e kupton se po flasim për të krijuar një filtër, nuk po flasim për zhbërje, se ka mundur të vijë si opsion edhe zhbërja dhe ne e kishim votuar. Pra, edhe zhbërjen menjëherë. Ju që jeni juristë e dini se ligji përgjatë kohës nuk është statik, nuk është libër i shenjtë, ai evoluon. Ka evoluar situata, dhe ne kemi mësuar prej gabimeve që janë bërë në vitin 2015. Në qoftë se ka pasur presion politik, ka pasur presion në 2015-n për t’u bërë ky ligj, prej ndërkombëtarëve. Nuk kanë lënë as birë e as zyre duke ju bërë presion për ta votuar këtë ligj.
Pra, duke qenë se ka pasur presion për të ndodhur ky ligj, a ka mundësi ne me juve që të kthehemi prapa dhe t’i shohim dy gjëra: standardet juridike, standardet që ndërlidhen me legjislacionin dhjetë vite pas, çështjet që i kemi mësuar gjatë procesit. Qysh more në si legjislacion, këtu e kemi diskutuar, që ku është Adnan Rrustemi, me juve Vigan, qysh mundet me qenë një institucion i Kosovës, i cili nuk monitorohet, që nuk ka asnjë llogaridhënie. Pra, kërkesa ime, që mos me hy në debat ma të thellë, është shumë e thjeshtë; a ka mundësi ju që e përfaqësoni Qeverinë e Kosovës, a ka mundësi në emrin tonë për ta thirrur ministren Gërvalla-Schwarz, me i thënë; zonjë a mund e sjell atë ligj se jemi bllokuar nuk po mundemi të ecim përpara dhe është rrezik që mos me pas një lëvizje me ketë ligj, atëherë rreziku është se më 6 tetor shkojmë në zgjedhje. A ka mundësi me pas një përgjigje”.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Platforma qytetare “Liria Ka Emër” ka publikuar oraret dhe pikat…