Komisioni për Buxhet miraton kredinë 60 milionë euro për Lojërat Mesdhetare
Komisioni për Buxhet ka miratuar me tetë vota për Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, në vlerë prej 60 milionë eurosh, për projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë prezantimit në komision ka bërë me dije se projekti parasheh renovimin dhe zgjerimin e infrastrukturës së kampusit të studentëve të Universitetit të Prishtinës, si dhe renovimin dhe ndërtimin e objekteve sportive në institucione të ndryshme arsimore.
Sipas Muratit, gjatë zhvillimit të Lojërave Mesdhetare, kampusi i studentëve do të shërbejë si fshat i atletëve, ndërsa objektet sportive të shkollave do të përdoren si qendra stërvitore.
“Projekti synon të renovojë dhe të zgjerojë infrastrukturën e kampusit të studentëve të Universitetit të Prishtinës, pra te konviktet, si dhe të renovojë dhe ndërtojë objekte sportive në institucionet e ndryshme arsimore përreth hapësirës. Projekti parashikohet të sjellë përfitime për studentët, duke mbështetur njëkohësisht organizimin e Lojërave Mesdhetare, gjatë të cilave kampusi i studentëve do të shërbejë përkohësisht si fshati i atletëve. Ndërsa objektet sportive të shkollave do të përdoren si qendra stërvitore në hapësirat përreth”, ka thënë ai.
Murati ka theksuar se projekti synon të krijojë përfitime afatgjata për studentët dhe banorët e Prishtinës, duke përmirësuar infrastrukturën arsimore dhe sportive.
“Përtej Lojërave Mesdhetare, projekti është i dizajnuar për të vendosur një trashëgimi të qëndrueshme për studentët e Universitetit të Prishtinës, si dhe banorët e qytetit të Prishtinës, që shfrytëzojnë edhe hapësirat përreth, por edhe institucionet arsimore në të cilat do të ketë renovim apo ndërtim të qendrave sportive. Në këtë kuptim, projekti pritet të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për më shumë se 40 mijë studentë, duke ofruar infrastrukturë moderne, të qasshme dhe me cilësi të lartë për arsimin, por edhe sportin”, ka thënë Murati.
Sipas tij, në nivel institucional, projekti do të kontribuojë në forcimin e sektorit të sportit, promovimin e pjesëmarrjes në aktivitete sportive dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së studentëve.
Sa i përket financimit, Murati ka bërë të ditur se kredia është në vlerë prej 60 milionë eurosh, me mundësi për përfitimin e një granti investiv prej 10 milionë eurosh nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), duke e çuar vlerën e përgjithshme të investimit në 70 milionë euro.
“Sa i përket strukturës së financimit, vlera e kredisë së propozuar është 60 milionë euro, me mundësi të fitimit edhe të një granti investiv nga WBIF me vlerë prej 10 milionë eurosh shtesë. Pra, në tërësi, 70 milionë euro parashikohet që të jetë investimi i tërësishëm”, ka thënë Murati.
Ai ka bërë të ditur se afati i maturimit të kredisë është 12 vjet, duke përfshirë një periudhë grejs prej pesë vjetësh.
Sipas tij, Ministria e Financave mund të zgjedhë ndërmjet normës fikse dhe asaj variabile në momentin e disbursimit. Norma variabile bazohet në Euribor gjashtëmujor, plus marzhin prej 1.65 pikë përqindjeje, ndërsa tarifa e zotimit është 0.5 për qind në vit.
Gjithashtu, sipas Muratit, aplikohet edhe një tarifë e njëhershme e menaxhimit, në vlerë prej 1 për qind të shumës maksimale të kredisë. /EO



