ATK-ja në fokus bizneset që përmbushin kriteret për regjistrim në TVSh
Administrata Tatimore e Kosovës, bazuar në analizat e të dhënave të saj, ka identifikuar një kategori të tatimpaguesve për të cilët, nga deklarimet e dorëzuara për periudhat tatimore 2024 dhe 2025, ka indikacione të arsyeshme se mund ta kenë përmbushur kriterin ligjor për regjistrim në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSh), përkatësisht qarkullimin vjetor mbi 30 000 euro.
Sipas legjislacionit tatimor në fuqi, personi i tatueshëm që ushtron aktivitet ekonomik në mënyrë të pavarur dhe që brenda vitit kalendarik tejkalon qarkullimin prej 30 000 eurosh është i obliguar të regjistrohet për TVSh.
Për këtë arsye, ATK-ja ka filluar procesin e monitorimit të kësaj kategorie të tatimpaguesve, me qëllim të verifikimit të saktësisë së deklarimeve dhe përmbushjes së obligimeve tatimore lidhur me regjistrimin në TVSh.
ATK-ja ua tërheq vërejtjen tatimpaguesve të kësaj kategorie që t’i rishikojnë deklarimet e tyre për periudhat përkatëse, në veçanti të dhënat lidhur me qarkullimin e realizuar. Në rast se konstatojnë pasaktësi në deklarime ose se kanë përmbushur kriteret ligjore për regjistrim në TVSh, ata duhet të ndërmarrin veprimet përkatëse për korrigjimin e deklarimeve dhe regjistrimin në TVSh në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.
Po ashtu, ftohen tatimpaguesit që këtë mundësi ta shfrytëzojnë në mënyrë vullnetare dhe me kohë para fillimit të procedurave të verifikimit nga ana e ATK-së.
Përmbushja e obligimeve tatimore në kohë u mundëson tatimpaguesve t’i shmangin pasojat dhe masat ligjore që mund të aplikohen në rast të mospërmbushjes së tyre.
Tatimpaguesit e kësaj kategorie do të jenë objekt i verifikimit dhe trajtimit tatimor në përputhje me procedurat dhe legjislacionin tatimor në fuqi.
Vetëm gjatë periudhës janar-gusht 2026 në sistemin e TVSh-së janë regjistruar 3 093 biznese të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të bizneseve të regjistruara në TVSh në 40 082.
Përmes kësaj komunikate, ATK-ja i njofton dhe u bënë thirrje tatimpaguesve t’i kontrollojnë deklarimet e tyre dhe qarkullimin e deklaruar dhe, nëse konstatojnë se i kanë përmbushur kriteret ligjore për regjistrim në TVSh, t’i ndërmarrin me kohë veprimet e nevojshme.



