Ademi, në prag të ndeshjes Izrael–Kosovë, darkë zyrtare me presidentin e Federatës së Futbollit të Izraelit
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka bërë të ditur se, së bashku me delegacionin e FFK-së, ka marrë pjesë në një darkë zyrtare të shtruar nga presidenti i Federatës së Futbollit të Izraelit, Moshe Zuares.
Darkën e kanë zhvilluar në prag të ndeshjes Izrael–Kosovë, e cila do të luhet në Debrecen të Hungarisë.
Sipas Ademit, gjatë darkës është zhvilluar një bisedë e hapur dhe miqësore për zhvillimin e futbollit në të dyja vendet, si dhe për ecurinë dhe të ardhmen e ekipeve kombëtare.
Ademi ka bërë të ditur se presidenti Zuares ka vlerësuar sukseset e Kosovës në vitet e fundit dhe ka theksuar marrëdhëniet e mira ndërmjet dy federatave.
“Presidenti Zuares vlerësoi sukseset që Kosova ka arritur në vitet e fundit dhe theksoi marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy federatave”, ka shkruar Ademi.
Sipas tij, Zuares ka kujtuar edhe organizimin dhe mikpritjen që delegacionet izraelite kanë pasur në Kosovë në përballjet e mëparshme, si me Kombëtaren A, ashtu edhe me Kombëtaren U21.
Në fund të darkës, palët i kanë uruar njëra-tjetrës një ndeshje të mirë dhe në frymën e “fair-play”-t.



