Konjufca në Mal të Zi: Kërkon zgjidhje për problemet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

01 tetor 2026 | 15:32

Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca, ka vazhduar angazhimet diplomatike në Mal të Zi, ku ka marrë pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit.

Në kuadër të diskutimeve për të ardhmen evropiane të rajonit, Konjufca tha se ka ngritur çështjen e gjendjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Ai përmendi pasivizimin e adresave, pengesat në njohjen e diplomave dhe përfaqësimin e pamjaftueshëm të shqiptarëve në institucionet shtetërore, duke theksuar se këto janë probleme që kërkojnë zgjidhje konkrete.

“Të drejtat e komuniteteve duhet të garantohen dhe të respektohen njësoj për të gjithë”, tha Konjufca.

Sipas tij, gjatë takimit me nikoqirin, Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Ervin Ibrahimović, Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Johann Wadephul, Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, si dhe kolegët nga rajoni, është diskutuar për rëndësinë e një bashkëpunimi rajonal të bazuar në barazi.

Konjufca theksoi gjithashtu nevojën që marrëveshjet e arritura në kuadër të Procesit të Berlinit të zbatohen dhe të sjellin rezultate konkrete për qytetarët.

Ai u ndal edhe te lëvizja e lirë, duke kërkuar që qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë në Bosnjë e Hercegovinë vetëm me letërnjoftim, në përputhje me marrëveshjen e arritur në kuadër të Procesit të Berlinit.

Sa i përket integrimit evropian, Konjufca tha se Kosova duhet të ecë përpara mbi bazën e meritave dhe rezultateve.

“Për Kosovën, integrimi evropian duhet të ecë përpara mbi bazën e meritave dhe rezultateve”, u shpreh ai, duke kërkuar që progresi i arritur të pasohet me hapa konkretë, përfshirë marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.

Konjufca tha se Procesi i Berlinit e dëshmon vlerën e tij kur bashkëpunimi rajonal shndërrohet në rezultate konkrete dhe të prekshme për qytetarët.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena…