Botërori i xhudos në Baku, Kosova mëson kundërshtarët
Kampionati Botëror i xhudos ka nisur të dielën në Baku të Azerbajxhanit, ndërsa xhudistët kosovarë tashmë kanë mësuar kundërshtarët e tyre.
Vëmendja kryesore të martën do të jetë te Akil Gjakova dhe Dardan Cena, të cilët do të garojnë në kategorinë deri në 73 kilogramë.
Gjakova do ta nisë garën ndaj një prej emrave më të mëdhenj të kësaj kategorie, Hidayat Heydarov.
Azerbajxhanasi është kampion olimpik në fuqi, ndërsa në vitin 2024 fitoi edhe titullin e botës. Ai ka gjithashtu katër tituj evropianë.
Edhe Dardan Cena do të startojë nga xhiroja e parë, ku do të përballet me irlandezin Joshua Green.
Në rast të fitores, në raundin e dytë e pret gjeorgjiani Lasha Shavdatuashvili, një tjetër emër i madh i xhudos botërore.
Ndërkohë, Distria Krasniqi nuk do të garojë në kategorinë deri në 52 kilogramë, ku ishte bartësja e parë dhe pretendente për medalje. Krasniqi po rikuperohet nga një lëndim.
Të mërkurën në tatami do të zbresë Laura Fazliu në kategorinë deri në 63 kilogramë.
Ajo do ta nisë garën nga xhiroja e dytë, ndërsa vlerësohet si një prej pretendenteve për medalje. Fazliu ka fituar medaljen e bronztë botërore në dy edicionet e fundit.
Të premten do të garojë Shpati Zekaj në kategorinë deri në 100 kilogramë. Kundërshtari i tij në xhiron e parë do të jetë moldavi Vadim Ghimbovschi.
Në Botërorin e Bakusë po marrin pjesë 622 xhudistë nga 93 shtete, ndërsa Kosova synon rezultate të larta me garuesit e saj, të udhëhequr nga kryemjeshtri Driton Kuka.



