Kryeziu: Nëse nuk zgjidhet presidenti deri më 6 tetor, vendi shkon në zgjedhje

05 tetor 2026 | 16:01

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka thënë se presidenti i ri mund të zgjidhet më së largu deri më 6 tetor. Ai ka shtuar se, nëse respektohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi do të shpërndahej dhe më pas do të shpalleshin zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Ka afat deri më 6 tetor. Nëse respektohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, shpërndahet Parlamenti me një dekret të ushtrueses së detyrës së presidentes dhe pastaj, me një dekret të veçantë, bëhet shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh”, ka thënë Kryeziu për “Front Online”.

Më 29 shtator, Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë, në të cilin ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar, ndërsa zgjedhjen e Qeverisë “Kurti 4” e ka vlerësuar në përputhje me Kushtetutën.

Në të njëjtin aktgjykim, Gjykata ka përcaktuar edhe afatin deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Sipas aktgjykimit, Kryesia e Kuvendit, në rrethana të caktuara, mund të funksionojë edhe pa një nënkryetar, nëse ka kuorum, ndonëse Gjykata ka bërë thirrje që të votohet sa më parë nënkryetari nga PDK-ja.

Gjykata ka konstatuar se vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditësh, nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Policia e Kosovës ka bërë me dije se është duke…