Haradinaj: Kurti i dha një goditje të rëndë UÇK-së, duke e lënë në gjysmë Ligjin për Specialen
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Albin Kurti po e çon vendin drejt zgjedhjeve dhe se, me këtë, sipas tij, po i jep një goditje UÇK-së, duke e lënë në gjysmë Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Kanë mbetur edhe më pak se shtatë orë. S’është ligj i një partie, por i 91 deputetëve të kësaj legjislature që e kanë votuar në lexim të parë. Është e pandershme të lihet në gjysmë ky ligj, duke e ditur momentin kritik për mbrojtjen e liderëve të UÇK-së. Është momenti të bashkohemi e të mos turpërohemi”.
“Sikurse e pamë sot, ranë maskat. Kurti e kurthoi edhe Ligjin, edhe vendin. E futi në kurth. Kurti i dha një goditje të rëndë UÇK-së, duke e lënë në gjysmë Ligjin për Dhomat e Specializuara në momentin më kritik dhe po e çon vendin në zgjedhje”.
“Kjo është hera e katërt që po e çon vendin në zgjedhje i njëjti person. Sa herë e ka çuar vendin në zgjedhje, e ka lënë qytetarin pa zgjidhjet e nevojshme”, ka deklaruar Haradinaj.



