Përparim Rama kërkon shqyrtim me prioritet të rastit të NPB-së: 350 familje kanë mbetur pa paga

08 tetor 2026 | 11:24

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar nga Gjykata Supreme që ta shqyrtojë me prioritet rastin e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), duke theksuar se në këtë çështje janë të përfshira rreth 350 familje.

Rama ka bërë me dije se gjatë një vizite në NPB është takuar me menaxhmentin e ndërmarrjes, me ç’rast ka shprehur shqetësimin për pagat e punëtorëve, të cilat, sipas tij, janë cenuar si pasojë e një vendimi që ai e konsideron të paligjshëm dhe që është marrë para mandatit të tij.

Sipas Ramës, çështja është adresuar në gjykatë që nga fillimi i qeverisjes së tij, pasi, siç pretendon ai, vendimi dhe procesi janë të paligjshëm dhe e rrezikojnë ndërmarrjen.

“Gjatë gjithë këtyre viteve kam insistuar që gjykatat ta mbrojnë pronën publike. Insistoj edhe sot”, ka deklaruar Rama.

Ai ka kërkuar nga Gjykata Supreme që ta trajtojë me prioritet këtë rast, duke theksuar se 350 familje kanë mbetur pa paga.

“Ne nuk e kemi krijuar këtë problem. Kemi vepruar për ta ndalur. Tani kërkojmë vendim, mbrojtje të ndërmarrjes dhe llogaridhënie”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka uruar Kosovën për…