Inspektorati Policor: Do të verifikohen pretendimet lidhur me afatin e skaduar të gazit lotsjellës
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka iniciuar sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar me qëllim të vlerësimit të veprimeve policore gjatë menaxhimit të protestës.
Nga IPK-ja kanë konfirmuar se, në kuadër të këtij hetimi, përveç ankesave të pranuara nga qytetarët, do të verifikohen edhe pretendimet e ngritura lidhur me afatin e skadimit të gazit lotsjellës të përdorur gjatë protestës.
Sipas IPK-së, si për ankesat e pranuara në objektet e këtij institucioni, ashtu edhe për rastet e iniciuara në kuadër të detyrës zyrtare, tashmë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore, përfshirë sigurimin e video-incizimeve dhe dëshmive të tjera, marrjen e deklaratave dhe shqyrtimin e dokumentacionit zyrtar policor që ndërlidhet me menaxhimin e protestës.
“IPK-ja do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në kuadër të mandatit ligjor për të sqaruar rrethanat dhe, bazuar në gjetjet e hetimit preliminar, do të vlerësojë hapat e mëtejmë që mund të ndërmerren”, kanë deklaruar nga IPK-ja.
Gjatë protestës, e cila është mbajtur me kërkesën për votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka ngritur dyshime se Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës të modelit të vitit 2018, të cilit pretendohet se i ka skaduar afati.
Bombolat e gazit lotsjellës janë incizuar nga “Radio Dukagjini”.






