Nis Kongresi dyditor Mbarëkombëtar i Stomatologjisë

09 tetor 2026 | 14:31

Në punën e tyre të përditshme, stomatologët shohin se sa shumë mund të ndryshojë jetën e një njeriu kujdesi stomatologjik, ndërsa shëndeti oral është pjesë e pandashme e shëndetit të përgjithshëm.

Kështu ka thënë kryeministri Albin Kurti sot, në hapje të Kongresit XI Mbarëkombëtar të Stomatologjisë, i cili këtë vit po mbahet me temën “Stomatologjia bashkëkohore: Avancimi i shëndetit oral përmes shkencës, praktikës klinike dhe inovacionit”, raporton “KosovaPress”.

Pasi ka shprehur kënaqësinë për hapjen e këtij kongresi, kryeministri Kurti ka thënë se, me hapjen e tetë poliklinikave të reja stomatologjike në gjithë vendin, synojnë që qytetarët të marrin kujdesin specialistik sa më afër vendbanimit të tyre.

Ai ka thënë se hapi i radhës është funksionalizimi i këtyre poliklinikave në objektet ekzistuese dhe ndërtimi i objekteve të reja aty ku ato mungojnë.

Kryeministri Kurti ka njoftuar se janë përfunduar procedurat e nevojshme për ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës, e cila do të krijojë kushte më të mira për trajtimin e pacientëve dhe punën e profesionistëve.

“Si qendër universitare, ajo ka një përgjegjësi të veçantë për mësimdhënien dhe kërkimin shkencor. Investimi në të është investim në dijen dhe aftësinë e brezave që do ta zhvillojnë më tej shëndetësinë tonë. Stomatologjia është kujdes dhe shërbim, është profesion dhe shkencë. Pacientët përfitojnë kur praktika klinike, arsimi dhe kërkimi shkencor ecin së bashku”, ka thënë Kurti.

Kongresi XI Mbarëkombëtar i Stomatologjisë, i organizuar nga Shoqata e Stomatologëve të Kosovës, do të vazhdojë edhe nesër.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Avokati i viktimave të pretenduara në Gjykatën Speciale, Simon Laws,…