Skandali konfidencial: Libri i financuar nga Qeveria serbe u propozua për provë kundër krerëve të UÇK-së
Avokati i viktimave të pretenduara në Gjykatën Speciale, Simon Laws, kishte propozuar si provë kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës një libër, financimi i të cilit ishte bërë nga e ashtuquajtura “Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë”.
DOKUMENT:

Libri, “Abducted Truth(E vërteta e Rrëmbyer)”, ishte propozuar nga Laws në korrik të vitit 2025, mirëpo që dokumentet dhe parashtrimet e tij kishin qëndruar konfidenciale deri në tetor të vitit 2026.
Ky libër është botuar në vitin 2017 nga e ashtuquajtura “Asociacioni i Familjeve të Personave të Rrëmbyer dhe të Zhdukur në Kosovë dhe Metohi” me qendër në Beograd.
Shkresat e publikuara, tregojnë kërkesën e avokatit Laws që i njëjti të pranohet si provë kundër katërshes së UÇK-së, raporton Vox Kosova.
“Mbrojtësi i Viktimave kërkon pranimin e: (a) dokumentacionit mjekësor lidhur me gjashtë viktima pjesëmarrëse në procedurë (VPP); (b) një faqeje nga një përmbledhje e raporteve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (“EULEX”), që përmban të dhëna [TË REDAKTUARA] (“dokumenti i EULEX-it”); dhe (c) gjashtë fragmenteve (me gjithsej shtatë faqe) nga libri me titull “Abducted Truth”, i botuar nga Asociacioni i Familjeve të Personave të Rrëmbyer dhe të Zhdukur në Kosovë dhe Metohi (së bashku, “Dokumentet e Propozuara”).
“Për më tepër, Mbrojtësi i Viktimave parashtron se, nëse viktimat e sapopranuara paraqesin dokumentacion përkatës lidhur me dëmin e pësuar, Trupi Gjykues duhet të lejojë ndryshimin e listës së provave materiale dhe paraqitjen e një mocioni të dytë për pranimin e dokumenteve përmes procedurës bar table”, thuhej në parashtresën e Laws.
DOKUMENT:

Dokumentet e deritanishme të publikuara tregojnë që Paneli kishte refuzuar ta pranonte si provë librin, mirëpo që nuk dihet se çfarë kishte ndodhur në vazhdimësi me ankesat e mëtutjeshme.
Simon Laws është mbrojtës i viktimave në Gjykatën Speciale. Ai pritet që të procedojë kërkesën për dëmshpërblim në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
I njëjti, kishte kërkuar përjashtimin e Gjykatave të divizionit civil në Kosovë nën pretekstin se në sistemin e Kosovës “ka korrupsion”.



