‘Jo të gjithë ata që ecin pranë teje e vazhdojnë rrugën me ty’, Rama shpërndan një video të gjeneruar me inteligjencë artificiale, ku shfaqet një luan
Disa orë pas votimit me 85 vota pro të Reformës Territoriale, mes tensioneve dhe kritikave, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar në llogarinë e tij në “Facebook” një video të gjeneruar me inteligjencë artificiale, ku një luan shfaqet duke ecur i vetëm.
Krahas pamjeve, dëgjohet edhe një mesazh në anglisht, në formën e një “bashkëbisedimi” me Zotin për sprovat e jetës, i cili, në kontekstin aktual, mund të interpretohet si një referencë ndaj “sprovave” politike të javëve të fundit brenda Partisë Socialiste.
Në video dëgjohet ky mesazh: “I kërkova Zotit dashuri. Ai largoi njerëz nga jeta ime. I hutuar, e pyeta: ‘Pse?’ Sepse jo të gjithë ata që ecin pranë teje janë të destinuar të vazhdojnë rrugën bashkë me ty. Unë nuk do të lejoj kurrë që njerëzit e gabuar të të pengojnë të përmbushësh qëllimin që kam për ty. I kërkova paqe. Ai lejoi të vinin stuhitë. Qava dhe pyeta: ‘Pse?’ Sepse paqja nuk është mungesa e stuhive; është forca për të qëndruar i palëkundur ndërsa ato tërbohen. I kërkova forcë. Ai më dha barra për të mbajtur. I zhgënjyer, pyeta: ‘Pse?’ Forca nuk të dhurohet, ajo ndërtohet, ashtu si hekuri kalitet në zjarr dhe merr formë nga goditjet e çekanit. Karakteri yt formohet përmes asaj që përballon. I kërkova një rrugë më të lehtë. Ai vendosi një mal përpara meje. I rraskapitur, pëshpërita: ‘Pse?’ Sepse këmbët më të forta formohen duke u ngjitur, jo duke qëndruar në vend. Pastaj kuptova diçka. Zoti nuk po i shpërfillte lutjet e mia. Ai po u përgjigjej atyre në një mënyrë të ndryshme nga ajo që prisja. Ai nuk po ma bënte jetën më të lehtë. Po më bënte më të fortë. Nuk mora jetën që kërkova. Mora jetën që do të më përgatiste për atë që më priste përpara. Sepse rehatia rrallë na ndryshon. Zjarri e pastron dhe e përpunon hekurin. Sprovat e forcojnë besimin. Përballoje zjarrin. Zoti ende po të jep formë”.
Rama e ka publikuar videon pa dhënë ndonjë koment shtesë. Publikimi i saj vjen pas votimit të Reformës Territoriale në Kuvend, në një periudhë të shoqëruar me tensione dhe diskutime brenda Partisë Socialiste.



