Ismaili-Ahmeti kërkon durim ndaj presidentes Shiroka-Pula: Kritika ka peshë vetëm kur mbështetet në punë e vendime

09 tetor 2026 | 13:54

Ish-deputetja Besa Ismaili-Ahmeti ka reaguar ndaj kritikave dhe paragjykimeve për presidenten e Kosovës, Justinë Shiroka-Pula, duke kërkuar që asaj t’i jepet kohë për ta dëshmuar veten përmes punës dhe vendimeve në detyrë.

Në një postim, Ismaili-Ahmeti ka theksuar se është ende herët për të dhënë gjykime për presidenten, duke nënvizuar se kritikat kanë peshë vetëm kur mbështeten në punën dhe vendimet e saj.

“Pak durim, ju lutem, sepse kritika ka peshë vetëm kur mbështetet në punë e vendime. Paragjykimi zbulon vetëm ngutjen e atij/asaj që gjykon”, ka shkruar ajo.

Duke komentuar emërimin për të cilin, sipas saj, po diskutohet, ish-deputetja ka thënë se disa po përqendrohen vetëm te përkatësia partiake, ndërsa ka ngritur mundësinë që një grua e re të lërë përgjegjësitë partiake për të marrë ato institucionale.

Sipas Ismaili-Ahmetit, profesionalizmi dhe paanshmëria do të jenë prova kryesore për ushtrimin e detyrës.

Ajo ka rikujtuar edhe rastin e ish-presidentes Atifete Jahjaga, për të cilën ka thënë se në fillim ishte përballur me paragjykime, por arriti t’u dëshmonte të kundërtën kritikëve përmes punës së saj.

Në këtë kontekst, Ismaili-Ahmeti ka vlerësuar se edhe presidentja aktuale, Justinë Shiroka-Pula, njihet për profesionalizmin dhe përkushtimin ndaj fuqizimit të grave dhe besimit në aftësitë e tyre.

“Prandaj, nëse e gjykoni politikisht pa i dhënë mundësinë dhe kohën e nevojshme ta fitojë besimin me vepra, gabimi është juaji”, ka përfunduar ajo.

Në fund të postimit, ish-deputetja ka ndarë edhe një fotografi të vitit 2016, nga vizita në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, në kohën kur ushtronte detyrën e prodekanes.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ashtu siç edhe pritej, momenti para votimit të Ligjit të…