Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi deklarohen sërish të pafajshëm për akuzat për spiunazh
Gjykimi ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit ka nisur rishtazi, ndërsa të dy të akuzuarit për spiunazh janë deklaruar sërish të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Rrahman Beqiri, ka njoftuar se, për shkak të afrimit të datës së pensionimit të anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Vesel Ismajli, ky i fundit do të zëvendësohet nga gjykatësja Donika Shala-Abdyli. Për pasojë, gjykimi ka nisur rishtazi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas konstatimit se aktakuza ishte lexuar, të dy të akuzuarit janë deklaruar sërish të pafajshëm.
Seanca po vazhdon me fjalën hyrëse të prokurorit Bekim Kodraliu, si dhe të dy të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre.
Në seancën e fundit, më 30 prill, gjykimi për spiunazh ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit kishte vazhduar me dyer të mbyllura. Edhe seancat e 28 dhe 29 janarit 2026 ishin mbajtur të mbyllura për të njëjtat arsye.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale është konfirmuar nga Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë më 19 shkurt 2025 ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët i ngarkon se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente te BIA serbe, lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), eprorët dhe pjesëtarët e saj, Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë masakrën e Reçakut.
Sipas PSRK-së, përmes këtyre veprimeve synohej shkaktimi i një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës, krijimi i një narrative të pavërtetë që do ta ndërlidhte Spitalin Ushtarak të UÇK-së me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”, nën pretendimin për trafikim organesh, si dhe vënia në dyshim e së vërtetës për masakrën e Reçakut.
Aktakuza i ngarkon Shabanin dhe Qerimin me veprën penale të spiunazhit, ndërsa Qerimi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, në pikën e parë, Bedri Shabani akuzohet se, nga një datë e pacaktuar e deri në arrestimin e tij më 5 qershor 2024, e ka ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë, e njohur si BIA, duke mbledhur dhe dërguar informacione, dokumente dhe materiale që lidhen me UÇK-në, përfshirë eprorët e saj, si dhe me ngjarje e objekte specifike, si Spitali Ushtarak i UÇK-së në fshatin Mollopolc të Shtimes dhe masakra e Reçakut.
Sipas aktakuzës, Shabani ua kishte transmetuar këto të dhëna dhe informacione zyrtarit të lartë të BIA-s, Sërgjan Rosiç, përgjegjës për rajonin e Pançevës, si dhe kolonelit Bogoljub Janiçeviç, ish-komandant i Policisë së Serbisë për rajonin e Ferizajt gjatë luftës në Kosovë dhe udhëheqës i operacionit policor-ushtarak në masakrën e Reçakut. Këtë, sipas aktakuzës, e kishte bërë përmes komunikimeve telefonike, postës elektronike dhe takimeve fizike të zhvilluara në territorin e Serbisë.
Sipas aktakuzës, me këto veprime, Shabani ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës. Po ashtu, ai akuzohet se e ka ndihmuar BIA-n në krijimin e një narrative të pavërtetë, me qëllim që Spitali Ushtarak i UÇK-së në Mollopolc të Shtimes të ndërlidhej me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Burrel të Shqipërisë, nën pretendimin për trafikim organesh, si dhe të vihej në dyshim e vërteta për masakrën e Reçakut.
Në aktakuzë thuhet se Shabani u kishte kërkuar zyrtarit të BIA-s dhe Bogoljub Janiçeviçit të ndërmerrnin veprime operacionale që do të shkaktonin një konflikt të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës.
Për këto veprime, Bedri Shabani ngarkohet me veprën penale “Spiunazh”, nga neni 124, paragrafi 3, i Kodit Penal.
Në pikën e dytë të aktakuzës, Muharrem Qerimi akuzohet se, nga viti 2012 e deri në arrestimin e tij më 5 qershor 2024, e ka ndihmuar BIA-n duke mbledhur dhe dërguar informacione, dokumente dhe materiale të ndryshme lidhur me luftën dhe pjesëtarët e UÇK-së, emrat e eprorëve të saj, si dhe informacione për Policinë e Kosovës, AKI-në dhe IPK-në.
Qerimi akuzohet gjithashtu se ka mbledhur informacione për emrat e dëshmitarëve tashmë të njohur të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, lidhur me veprat penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sipas aktakuzës, këto informacione ia kishte transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, Sërgjan Rosiç, përgjegjës për rajonin e Pançevës, përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike të zhvilluara në territorin e Republikës së Serbisë.
Me këto veprime, Qerimi akuzohet se ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj.
Për këto veprime, Muharrem Qerimi ngarkohet me veprën penale “Spiunazh”, nga neni 124, paragrafi 3, i Kodit Penal.
Ndërkaq, në pikën e tretë të aktakuzës thuhet se, më 5 qershor 2024, gjatë zbatimit të urdhëresës së gjykatës për kontroll, Qerimit i është gjetur në posedim, pa autorizim, një revole e tipit “Ekol Tuna”, një karikator, gjashtë fishekë, njëzet fishekë të tjerë me mbishkrimin 11/53, si dhe katër karikatorë të tjerë me shenjën e gjysmëhënës dhe një rreth. Të gjitha këto janë sekuestruar nga Policia e Kosovës.
Për këto veprime, Qerimi ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1, i Kodit Penal.
Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.



