Gjykata cakton një muaj paraburgim për të dyshuarin për vrasjen e dyfishtë në Gjilan
Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar një muaj paraburgim për V. R., i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes dhe të vëllait të saj, si dhe për plagosjen e dy personave të tjerë, që ndodhi më 9 tetor në fshatin Livoç i Ultë.
Sipas njoftimit të gjykatës, i dyshuari po hetohet për veprat penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas përshkrimit të ngjarjes në njoftimin e gjykatës, i dyshuari fillimisht e kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij, N. B., duke shtënë me armë zjarri derisa ishte duke drejtuar veturën.
Më pas, ai ishte kthyer në hyrje të fshatit Livoç i Ultë, ku ndodheshin vëllai i bashkëshortes, E. B., dhe dy persona të tjerë. Gjykata thotë se i dyshuari kishte dalë nga vetura me armë në dorë dhe u ishte drejtuar atyre me fjalët: “Unë jetën e humba se grujën e vrajta, edhe juve kam me ju vra”.
Sipas njoftimit, i dyshuari kishte shtënë në drejtim të tyre, duke e privuar nga jeta E. B. dhe duke plagosur rëndë njërin nga personat, ndërsa personi tjetër kishte arritur të largohej.
Pas ngjarjes, i dyshuari e kishte dërguar veturën, në të cilën ndodhej trupi i bashkëshortes së tij, në oborrin e Spitalit Rajonal të Gjilanit, para emergjencës, dhe më pas ishte dorëzuar në polici.
Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke konstatuar se masat e tjera alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.
Ndaj vendimit për caktimin e paraburgimit, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës./Telegrafi/



