Delegacioni i lartë i BQK-së merr pjesë në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore
Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i kryesuar nga Guvernatori, Ahmet Ismaili, po merr pjesë në takimet vjetore 2026 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Grupit të Bankës Botërore (BB), të cilat po mbahen në Bangkok të Tajlandës, nga 12 deri më 18 tetor 2026.
Në kuadër të këtyre takimeve, guvernatori Ismaili dhe delegacioni i BQK-së do të zhvillojnë takime bilaterale dhe multilaterale me drejtues dhe zyrtarë të lartë të FMN-së, BB-së, institucioneve financiare ndërkombëtare, si dhe me guvernatorë dhe përfaqësues të bankave qendrore dhe institucioneve partnere.
Gjatë takimeve do të diskutohen zhvillimet e fundit ekonomike dhe financiare, perspektivat dhe rreziqet për stabilitetin financiar, si dhe prioritetet e bashkëpunimit institucional.
Guvernatori Ismaili do të prezantojë zhvillimet dhe rezultatet kryesore të sektorit financiar të Kosovës, progresin në zbatimin e reformave dhe prioriteteve strategjike të BQK-së, me theks të veçantë në forcimin e stabilitetit financiar, avancimin e mbikëqyrjes dhe kornizës rregullative, modernizimin e sistemeve të pagesave dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet vlerësimit të progresit dhe rezultateve nga programet e bashkëpunimit dhe asistencës teknike, si dhe identifikimit të mundësive për mbështetje të mëtejshme në funksion të zbatimit të reformave dhe zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit financiar.
Pjesëmarrja e BQK-së në këto takime synon forcimin e partneriteteve ndërkombëtare, avancimin e prioriteteve strategjike dhe përfaqësimin e Kosovës në diskutimet për zhvillimet dhe sfidat e sistemit financiar ndërkombëtar.
Takimet Vjetore të FMN-së dhe BB-së mbledhin guvernatorë të bankave qendrore, ministra të financave, drejtues të institucioneve financiare ndërkombëtare, përfaqësues të sektorit privat, shoqërisë civile dhe akademisë, për të diskutuar perspektivat ekonomike globale, stabilitetin financiar dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.



