Besnik Tahiri: 65 ligje për më pak se tre muaj, por ku është vizioni i qeverisë?
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar agjendën legjislative të qeverisë, duke ngritur pikëpyetje për vizionin dhe prioritetet e saj.
Tahiri ka vënë në pikëpyetje nëse numri i madh i projektligjeve që synohet të procedohen shoqërohet me një drejtim të qartë strategjik dhe me masa që u përgjigjen nevojave të qytetarëve.
“65 ligje për ma pak se 3 muaj, por ku është vizioni? Qeveria synon të procedojë 65 ligje, por pyetja thelbësore është: a kemi një agjendë që i përgjigjet nevojave të qytetarëve, apo vetëm një listë të gjatë ligjesh pa prioritete të qarta dhe pa drejtim strategjik?”
“Ligjet nuk maten me numër, por me cilësi, ndikim dhe rezultate konkrete. Kosova nuk ka nevojë vetëm për më shumë ligje, por për ligje të mira që zgjidhin problemet e qytetarëve. Po ashtu, Kuvendi duhet ta ushtrojë rolin e tij institucional edhe në raport me strategjinë për mbrojtjen e të zhvendosurve në Hagë. Qeverisja nuk është statistikë. Është përgjegjësi, vizion dhe rezultate!”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Deputeti ka bërë me dije se këto dy çështje i ka ngritur në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit.



