Udhëpërshkrim nga qyteti i Gëtes dhe i librit ndërkombëtar
Nga Berat Armagedoni
Për herë të dytë në Gjermani, për herë të parë zyrtarisht jashtë vendit pas njëzet vjetësh punë në institucion publik. Me Bekimin dhe Shqipen, me dy kolegët e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ia mësymë Frankfurtit nga Tirana natën dhe zbritëm në aeroportin Frankurt Hahn pas mesnatës. Meqë udhëtimet me avion s’i kam për qejf për shkak se havasë ia kam frikën, kam mbetur “i izoluar” nga Evropa dhe bota. Për këtë arsye, qytetet evropiane i kam parë vetëm në fotografi, në dokumentarë dhe në filma.
Një shok imi i dikurshëm, djalë i mirë, i sjellshëm dhe i ndershëm, me të cilin kohë të gjatë, para dy dekadash, kemi lexuar në sallat e leximit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, sot konsull i përgjithshëm në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Frankfurt, Gëzim Gashi, kishte ardhur në aeroport të na priste dhe të na dërgonte në hotel. Detyrim s’e kishte nga askush. Për shkak të shoqërisë së dikurshme e takimeve të përditshme që kemi pasur në bibliotekë si lexues, sa ishim studentë, e kishte ndier “obligim” të na shoqëronte. Gjatë udhëtimit me veturë nga aeroporti në hotel, rreth një orë e gjysmë larg, Gëzimi na foli për punët e veta, të kolegëve dhe të Konsullatës së Kosovës. Na foli për Frankfurtin, për panairin e librit, për botuesit, për aktivitetet kulturore dhe arsimore, për integrimin e shqiptarëve, edhe për disa takime me afaristë që kohë pas kohe organizon Konsullata.
Frankurti në natën e 8 tetorit kishte një pamje, për mua, të çuditshme dhe të frikshme njëkohësisht. Qytet me plot ndriçim e me pak njerëz. Sado që më dukej metropol modern, me ndërtesa të larta, me rrugë të gjëra, natën njerëzit lëviznin pak. Më dukej se një tjetër pandemi, pas asaj në vitin 2019 në Kinë e më pastaj në gjithë botën, kishte shpërthyer veçmas në Frankfurt. Pasi që ne nuk shkuam aty për të gjurmuar përhapjen e pandemisë, frikën prej saj e mposhtëm menjëherë, edhe pse malli për njerëz gjatë natës na merrte.
Vizita ime në Frankfurt, edhe e dy kolegëve të mi, ishte e lidhur me librin. Si përgjegjës për botime në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, pata rastin ta vizitoj këtë qytet në një prej periudhave më të rëndësishme të vitit për botuesit, autorët, përkthyesit, bibliotekarët dhe profesionistët e tjerë të kulturës: në ditët e Panairit Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt, në një prej ngjarjeve më të mëdha të industrisë botuese në botë, në të cilat ditë Biblioteka Kombëtare e Kosovës në të ardhmen synon t’i përfaqësojë botuesit dhe autorët e Kosovës sa më mirë e sa më shumë, jo aq mirë e aq bukur sa i kishin paraqitur botuesit e mëdhenj evropianë shtëpitë e veta botuese dhe autorët, të cilët vetëm për pjesëmarrje, për dekor të stendave dhe për marketing, kishin shpenzuar mbi 50 000.00 euro. Stenda e Spanjës, e Polonisë, e Belgjikës dhe ajo e Turqisë mua m’u dukën më të bukurat. Hapësirë të madhe në panair kishte marrë Franca. Dukej superfuqi ekonomike dhe letrare në krahasim me të tjerat.
Pjesëmarrja në këtë ngjarje na mundësoi t’i shohim zhvillimet e industrisë botuese dhe të vëmë kontakte për bashkëpunim me institucione dhe profesionistë nga vende të ndryshme.
Gjatë vizitës në panair, së bashku me kolegët e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Bekim Aliun dhe Shqipe Canolli Hazirin, morëm pjesë në një prezantim autorësh në stendën zvicerane. Takimet me koordinatorë të organizimit të panairit dhe vendosja e kontakteve për bashkëpunime të mundshme ishin pjesë e rëndësishme e kësaj vizite. Udhëtimi ynë nuk ishte vetëm karakter përfaqësues, por edhe synim konkret institucional: të krijojmë mundësi që në edicionet e ardhshme të panairit të marrim hapësirë për prezantimin e librave të botuesve nga Kosova, për ta bërë më të dukshme letërsinë shqipe, për t’i paraqitur autorët tanë para një publiku ndërkombëtar dhe për të krijuar kontakte me botues që mund të interesohen për përkthimin dhe botimin e veprave të tyre në gjuhë të tjera. Dhe për një vend me një treg relativisht të vogël të librit si Kosova, këto mundësi janë shumë të vlefshme dhe goxha shumë të mundimshme.
Pas vizitës gjatë ditës në panair me datën 8 tetor, të nesërmen në mbrëmje shkuam në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Frankfurt për përurimin e librit të Sevëme Fetiqit. Konsulli i përgjithshëm i kësaj konsullate, Gëzim Gashi, së bashku me kolegët Hizri Bunjaku dhe Mentor Tahiraj dhe me stafin e tyre, na nderuan shumë. Na ofruan bashkëpunim, gjithashtu edhe u ofruam, për aktivitetet që do t’i realizojnë gjatë vitit në konsullatë. Ua shprehëm gatishmërinë që, sapo ta pajisin konsullatën me rafte, ne t’ua pajisim me libra shqip. Pas darkës morëm rrugë për hotel sërish me konsullin, Gëzimin. I qetë, i papërtueshëm, i respektueshëm.
Të nesërmen në mëngjes hapëm portat e shtëpisë-muze të Gëtes me një biletë prej dymbëdhjetë eurosh. Teksa ngjiteshim shkallëve të shtëpisë së tij, një burrë i vjetër, sigurisht vizitor, ngjitej para nesh. Kishte veshur një pallto të gjatë deri në fund të këmbëve. Në kokë mbante një kapelë. Ai dukej shumë klasik, kurse mua më dukej se po ngjitej Gëte, se po na printe drejt shtëpisë.
Sapo hymë në shtëpinë e tij, nëpër kujtesë na erdhën veprat e tij, personazhet e veprave të tij. Pamë vendin ku ka bërë gjumë, ku ka ngrënë bukë, ku ka pirë ujë, ku ka kryer nevojat fiziologjike, ku ka shkruar, ku i ka pritur miqtë e ngushtë dhe vizitorët, enët me të cilat është shërbyer, pendët e shpezëve me të cilat i ka shkruar veprat dhe llupat me të cilat i ka lexuar. Në një pjesë të murit të shtëpisë së tij të madhe e të bukur, të pajisur me vepra letrare të vjetra dhe me shumë piktura, pamë edhe një pikturë me motive nga malësia e Shqipërisë krahas pikturave të familjarëve të tij e të shokëve e të miqve të tij të ngushtë. Vumë re, aty për aty, duke lexuar biografitë e familjarëve të tij, se shkrimtari nuk lind vetëm nga talenti individual. Formimi i tij lidhet edhe me familjen, arsimin, leximet, mjedisin shoqëror dhe përvojat që i japin përmbajtje botës së tij krijuese. E në shtëpinë e tij, duke shikuar portretet e familjarëve të tij, edhe të shokëve të tij, të gjithë dukeshin artistë.
Vizitë, pak më të shkurtër, bëmë edhe në Muzeun Romantik që ishte në të njëjtin objekt në katin e fundit. Ditën e kaluam duke u endur shesheve të Frankfurtit. Të nesërmen në mëngjes para hotelit u shfaq Hizriu. Na mori me veturë dhe na dërgoi në Römerberg, në zemër të Frankfurtit, te sheshi i vjetër. Shtëpitë me konstruksion tradicional, fasadat karakteristike dhe ndërtesat që rrethonin sheshin na jepnin një atmosferë të ndryshme nga ajo e qytetit modern që dukej pak më tutje në horizont. Këtu historia e qytetit nuk paraqitej vetëm përmes tabelave shpjeguese dhe ekspozitave muzeore, por edhe përmes arkitekturës dhe organizimit të hapësirës publike. Römerbergu, sa mora informacione nga Google sa isha atje, për shekuj me radhë kishte qenë një prej qendrave të jetës qytetare të këtij vendi. Në këtë pjesë të Frankfurtit janë zhvilluar panaire, ceremoni publike dhe ngjarje të rëndësishme të jetës politike dhe tregtare. Ndërtesa e njohur si Römer, e cila shërbente si seli e administratës së qytetit, ishte ndër simbolet më të dallueshme të këtij identiteti historik. Në sheshin Römerberg vizitorët i fotografonin ndërtesat, turistët vëzhgonin hollësitë arkitekturore, i vizitonin katedralet, blinin suvenire, hanin ushqime dhe pinin pije të ndryshme. Ndër të tjera, mësuam nga shoqëruesit se qendra historike e Frankfurtit ishte dëmtuar rëndë gjatë Luftës së Dytë Botërore, pjesë të saj ishin rindërtuar më vonë, ndërsa projekti i njohur i Neue Altstadtit kishte rikrijuar një pjesë të pamjes historike të qytetit, duke ndërthurur rindërtimin tradicional me ndërhyrjet bashkëkohore. Domethënë, Römerbergu nuk kishte vetëm kujtim i së kaluarës, por edhe dëshmi e përpjekjes për ta rikthyer kujtesën e humbur dhe për ta ruajtur atë për brezat e ardhshëm vendorë dhe ndërkombëtarë. E për ne tre që vinim nga Kosova, që e njohim peshën e humbjeve historike dhe rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, kjo vizitë ishte e bukur dhe e dobishme, për arsye se, sado që Frankfurti ishte bërë qytet modern, nuk e kishte braktisur kujtesën, të kaluarën, historinë madje, pavarësisht prej objekteve të larta që kishin shfaqur kokën edhe në formë të majës së lapsit, e nxirrte në pah të vjetrën kudo. Me një fjalë, brenda tij bashkëjetonin qendrat moderne të biznesit, hapësirat historike, institucionet kulturore, ngjarjet ndërkombëtare dhe diversiteti kulturor i popujve që shfaqej nëpër rrugë dhe sheshe në mënyra të ndryshme.
Për mua dhe për cilindo tjetër njeri publik udhëtimet profesionale kanë vlerë kur përtej përvojës individuale prodhojnë ide dhe mundësi për institucionin që përfaqësojmë. Prandaj, vizita në Frankfurt ishte një rast i mirë për të parë nga afër se si libri mund të bëhet pikënisje për bashkëpunim kulturor dhe përfaqësim ndërkombëtar.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka rol të rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë së shkruar, në promovimin e leximit dhe në dokumentimin e historisë së librit shqip. Kontakti me institucione dhe profesionistë të tjerë në një mjedis ndërkombëtar mund të ndihmojë në krijimin e mundësive të reja për shkëmbim përvojash, prezantim të botimeve dhe bashkëpunim kulturor.
Po aq e rëndësishme është edhe mundësia për ta paraqitur Kosovën si pjesë të dialogut kulturor evropian. Letërsia shqipe ka autorë, histori dhe përvoja që meritojnë të njihen përtej hapësirës sonë gjuhësore. Për këtë nevojiten botime cilësore, përkthime, kontakte profesionale dhe përfaqësim i madh dhe serioz në ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare.
Panairi i Frankfurtit e bën të qartë se rruga e një libri drejt lexuesit të huaj kalon nëpërmjet shumë hallkave: autorit, botuesit, përkthyesit, agjentit letrar, bibliotekës dhe institucioneve që mbështesin kulturën. Suksesi i tyre vjen kur këto bashkëpunojnë mes vete.
Për këtë arsye, kontaktet që kemi vënë me organizatorët gjatë vizitës në panair dhe mundësia që na është dhënë për pjesëmarrje të botuesve dhe të autorëve të Kosovës nga Biblioteka Kombëtare në Panairin e Librit në Frankfurt, përbëjnë një vizitë me vlerë të madhe. Megjithatë, rezultatet e vizitës sonë, për pjesëmarrje institucionale atje, do të varen nga puna që do të bëjmë gjatë këtij viti për edicionin e ardhshëm të panairit.




