Rexha: ‘Radio Policia’, përpjekje për kontrollimin e informacionit
Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, e ka cilësuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Mediave për lejimin e transmetimit eksperimental të “Radio Policia e Kosovës” si përpjekje të Qeverisë për kontrollimin e informacionit dhe shpërndarjen e propagandës shtetërore.
Rexha ka thënë se Policia e Kosovës tashmë ka kanale të mjaftueshme për të informuar qytetarët dhe mediat, prandaj, sipas tij, nuk ka nevojë për një frekuencë të veçantë radiofonike.
“Policia e Kosovës, që është një institucion i respektueshëm në Kosovë, ka bashkëpunim të mirë me gazetarët, ka kanale pafund për të treguar punën e saj, për të dhënë informacionet dhe nuk i duhet një frekuencë e radios për t’i dhënë këto informacione. Duke marrë parasysh faktin që Ministria e Punëve të Brendshme, e drejtuar nga zoti Xhelal Sveçla, e kemi parë që në fakt ka provuar edhe të ndikojë në punën e Policisë politikisht, për ne ky është një vendim alarmues që nuk do të duhej të ndodhte. Pra, absolutisht nuk ka nevojë Policia që ta ketë radion e vet”, ka thënë Rexha.
Ai ka vlerësuar se transmetimet e tilla rrezikojnë të krijojnë një burim të njëanshëm informacioni, përmbajtja e të cilit nuk do të mund të sfidohej apo të vihej në pikëpyetje nga gazetarët.
“Do të jetë një informacion që jepet në mënyrë të njëanshme nga ana e Policisë, pa qenë në gjendje që të sfidohet, të pyetet, të kontestohet nëse ka nevojë nga ana e gazetarëve. Gazetarët, përkundër kësaj që ka ndodhur, duhet të vazhdojnë punën e tyre për të thirrur Policinë, për të marrë informacion shtesë dhe për ta bërë punën e vet në terren. Pra, nuk mund të ndodhë që gazetarët të mos shkojnë në terren për shkak se ekziston një radio që jep informacionet në kohë reale”, ka deklaruar ai.
Rexha ka shprehur shqetësim edhe për mungesën e qartësisë rreth mënyrës së funksionimit të radios dhe strukturës së saj redaktuese. Ai ka vënë në pikëpyetje nëse radioja do të ketë drejtor, kryeredaktor, redaktorë dhe gazetarë.
“Vetë fakti që ne nuk e dimë se si do të funksionojë, a do të ketë drejtor, kryeredaktor, redaktorë, gazetarë. Pjesëtarët e Policisë nuk janë të trajnuar për ta bërë punën e gazetarëve, kështu që është krejtësisht e paimagjinueshme dhe absolutisht në kuadër të asaj që është tendencë e Qeverisë së Kosovës, në këtë rast e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për të kontrolluar informacionin dhe për të shpërndarë një narrativë të veçantë”, ka thënë ai.
Sipas Rexhës, vetë ideja e transmetimeve eksperimentale ka qenë e dyshimtë që nga fillimi. Ai ka theksuar se radio të tilla funksionojnë në pak vende të botës dhe, sipas tij, nuk do të duhej të aplikoheshin në Kosovë.
“Vetë kjo logjikë për transmetimet eksperimentale ka qenë e dyshimtë që prej momentit të parë. Tash kemi një aprovim të Radio Policisë, e cila është e rrallë, nuk ndodh në shumë vende të botës, ndodh në shumë pak vende të botës; Argjentina dhe Jordania merren si shembuj, dhe nuk do të duhej të ndodhte në një vend evropian me demokraci të zhvilluar si e Kosovës. Si Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), është një përpjekje e Qeverisë për të kontrolluar informacionin, pra është propagandë shtetërore e Qeverisë”, ka deklaruar Rexha. /EO



