Lushtaku: Protestat qytetare e detyruan Kurtin ta ndryshojë qasjen për Ligjin për Specialen
Rreth një javë pas zgjedhjes së presidentes së re të vendit dhe miratimit të projektligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka vlerësuar se protestat qytetare kanë ndikuar në ndryshimin e qasjes së kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje ndaj këtij ligji.
Lushtaku ka thënë se qytetarët që protestuan më 16 shtator, sipas tij, dhanë një shembull të dinjitetshëm të protestimit dhe ushtruan presion që ndikoi në vendimmarrjen politike.
“Besoj, së pari, që atë gol e kanë shënuar qytetarët që kanë protestuar në mënyrë dinjitoze dhe kanë dhënë shembull se si duhet të protestohet. Janë munduar të jenë korrektë edhe me policinë. Besoj se presioni i tyre i madh pas 16 shtatorit e ka ulur në karrigen e realitetit edhe Albin Kurtin, edhe VV-në, që ta ndryshojnë qasjen, në mënyrë që të ketë votim për lexim të dytë”, ka deklaruar Lushtaku./gazeta10/



