Refuzoi të dorëzohej dhe u mbyll në banesë: Policia jep detaje për arrestimin e serbit në Fushë Kosovë
Një operacion i Policisë së Kosovës në Fushë Kosovë, i nisur pas dyshimeve për kërcënim me armë ndaj një qytetari, ka përfunduar me arrestimin e dy personave.
Njëri prej të dyshuarve ishte mbyllur në banesën e tij dhe kishte refuzuar t’u bindej urdhrave policorë për dorëzim, duke detyruar njësitë speciale të ndërhynin me forcë.
Në pamjet e publikuara nga Policia shihen pjesëtarë të njësive të specializuara gjatë ndërhyrjes, mes shkëndijave të shumta, ndërsa në një fotografi tjetër shihet një person i shtrirë në dysheme, me duart e lidhura pas shpine.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, të publikuar të martën, më 13 tetor 2026, gjithçka kishte nisur pas informacioneve se një burrë, shtetas i Kosovës i nacionalitetit serb, dyshohej se kishte kërcënuar një qytetar me armë.
Pas marrjes së informatave, Policia kishte angazhuar njësitë speciale, ato të reagimit të shpejtë dhe njësitë patrulluese, duke arritur ta identifikonte personin e dyshuar.
Megjithatë, sipas Policisë, ai nuk u ishte bindur urdhrave për ndalim dhe dorëzim, por ishte futur në banesën e tij, ku ishte mbyllur.
Përballë kësaj situate, forcat policore kishin vendosur një perimetër sigurie rreth vendbanimit të të dyshuarit, duke nisur përpjekjet për ta bindur që të dorëzohej pa përdorimin e forcës.
Policia thotë se me të dyshuarin kishte komunikuar në forma të ndryshme, duke kërkuar vazhdimisht që ai të dorëzohej në mënyrë të sigurt dhe pa pasoja.
Por këto përpjekje nuk kishin dhënë rezultat.
“Policia e Kosovës, ka siguruar vendin duke vënë perimetrin e sigurisë rreth zonës së banimit të personit të dyshuar, me të cilin në forma të ndryshme ka komunikuar dhe ka kërkuar që të dorëzohet në formë të sigurt dhe pa pasoja, mirëpo i njejti ka rezistuar dhe nuk iu është bindur urdhrave zyrtar policorë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Situata kishte kërkuar angazhimin e disa njësive të specializuara, përfshirë Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë Speciale Operative, njësitë e rendit publik dhe njësinë K9.
Sipas Policisë, këto njësi kishin vëzhguar për një kohë të gjatë veprimet e të dyshuarit, duke mbajtur nën kontroll situatën dhe duke vazhduar thirrjet për dorëzim.
Vetëm pas refuzimit të vazhdueshëm, njësitë policore kishin vendosur të hynin me forcë në banesë.
Siç përshkruhet në njoftim, policët ishin detyruar “me forcë, me mjete të forta, të hapin derën dhe të futen brenda në banesë”.



