Guvernatori Ismaili takohet me zëvendësdrejtorin e FMN-së, Bo Li

14 tetor 2026 | 10:31

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga anëtarët e delegacionit të BQK-së, zhvilloi takim bilateral të nivelit të lartë me Zëvendësdrejtorin Menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bo Li, dhe ekipin e tij, në kuadër të Takimeve Vjetore 2026 të FMN-së dhe Grupit të Bankës Botërore.

Takimi u fokusua në zhvillimet financiare në Kosovë, qëndrueshmërinë e sistemit financiar, progresin në zbatimin e reformave strategjike dhe prioritetet për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet BQK-së dhe FMN-së.

Guvernatori Ismaili theksoi stabilitetin e vazhdueshëm dhe performancën e mirë të sektorit financiar të Kosovës, duke nënvizuar se sektori bankar mbetet mirë i kapitalizuar, likuid dhe i qëndrueshëm, ndërsa sistemi financiar në tërësi vazhdon të dëshmojë stabilitet.

Guvernatori i BQK-së prezantoi progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Planit Strategjik të BQK-së 2024-2028 dhe rekomandimeve që burojnë nga vlerësimet dhe misionet e asistencës teknike të FMN-së.

Theks i veçantë iu kushtua avancimit të mbikëqyrjes së bazuar në rrezik në të gjithë sektorin financiar, forcimit të kornizave për stabilitetin financiar dhe menaxhimin e krizave, përmirësimit të qeverisjes dhe qëndrueshmërisë institucionale, si dhe zhvillimit të kapaciteteve analitike, të parashikimit makroekonomik dhe mbikëqyrëse të BQK-së.

Në emër të BQK-së, ai shprehu mirënjohjen për partneritetin afatgjatë me FMN-në dhe rolin e rëndësishëm të këtij institucioni në mbështetjen e zhvillimit të sektorit financiar dhe reformave institucionale në Kosovë.

Në këtë kontekst, u riafirmua përkushtimi i fuqishëm i BQK-së për themelimin dhe funksionalizimin e Qendrës Rajonale të Asistencës Teknike të FMN-së për Evropën Juglindore (SEETAC).

Guvernatori Ismaili theksoi se BQK-ja tashmë ka konfirmuar dhe përmbushur kontributin e saj në këtë iniciativë.

Të dyja palët riafirmuan përkushtimin për thellimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik ndërmjet BQK-së dhe FMN-së, duke u mbështetur në arritjet e deritanishme dhe duke identifikuar mundësi për vazhdimin e asistencës teknike, shkëmbimin e njohurive dhe bashkëpunimin institucional.

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Në vazhdim të intervistës ekskluzive për “Epokën e re” që…