Fatmir Sejdiu me fjalë prekëse për Idriz Rrecajn: “Lamtumirë, mik i dashur”

16 tetor 2026 | 19:21

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka kujtuar me dhimbje dhe pikëllim bashkëveprimtarin e tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Idriz Rrecajn, veprimtarin dhe luftëtarin që gjithë përkushtimin e tij jetësor ia kushtoi Kosovës.

Në një mesazh lamtumire, Sejdiu vlerëson guximin, urtësinë dhe përkushtimin e Rrecajt në organizimin e rezistencës kundër planeve serbe për zhbërjen e Kosovës, si dhe besimin e tij të palëkundur në projektin politik të udhëhequr nga presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova.

“Për Idriz Rrecajn nuk kishte barrierë që mund ta vinte në dilemë. Rruga e tij ishte urtia dhe guximi”, shkruan Sejdiu, duke e përshkruar atë si një njeri të urtë, të durueshëm dhe me intuitë të jashtëzakonshme në orientimin e aksioneve dhe zhvillimeve politike.

Sejdiu kujton edhe vitet e rënda kur fati i Rrecajt mbeti i panjohur, si dhe angazhimin e tij të pandërprerë për bashkëveprimin e të gjithë faktorëve të rezistencës dhe luftës së përbashkët për liri.

Ai rikujton takimin e fundit me Rrecajn, në ditën e varrimit të mësuesit Halit Geci, duke shprehur keqardhjen që ai, sikurse shumë bashkëveprimtarë të tjerë, nuk arriti ta gëzonte lirinë për të cilën ishte angazhuar.

“Idrizi, si edhe shumë të tjerë, nuk gëzuan Lirinë. Jeta dhe shpirti i tyre janë themelet e saj”, thekson Sejdiu në mesazhin e tij të lamtumirës.

“Lamtumirë, mik i dashur”, përfundon mesazhin ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në kuadër të autorizimeve ligjore,…