Promovohet në Deçan libri i Emine Boriçit për poezinë atdhetare të Shkëlzen Ukëhaxhajt

17 tetor 2026 | 12:51

Sot, në Qendrën Rinore në Deçan, është promovuar libri “Deçani, ekuivalenca e një poetike atdhetare”, me autore studiuesen Emine Boriçi.

Ky libër sjell një trajtim të veçantë të vlerave letrare, historike dhe kombëtare të Deçanit, duke i kushtuar vëmendje të veçantë poezisë së Shkëlzen Ukëhaxhajt dhe trashëgimisë sonë kulturore.

Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili, në fjalën e tij, tha se Shkëlzen Ukëhaxhaj ishte një nga nxënësit më të dalluar të Gjimnazit të Deçanit, raporton “Epoka e re”.

“Shkëlzeni ishte ai kryengritësi që, në atë kohë, duhej të dilte në rrugë dhe ta ngrinte zërin për drejtësi, liri dhe pavarësi, në mënyrë që ta kishim shtetin tonë. Kjo rrugë nuk ka qenë e lehtë”, ka thënë Ramosaj.

Ai ka treguar gjithashtu se babai i Shkëlzenit, Hasan Ukëhaxhaj, ishte profesor në atë kohë dhe ishte burgosur nga regjimi i atëhershëm.

“Kjo është dëshmi e rrugëtimit të një familjeje për çështjen kombëtare”, ka theksuar Ramosaj.

Recensenti i librit, historiani dr. Bekim Vishaj, ka vlerësuar se libri “Deçani, ekuivalenca e një poetike atdhetare”, i studiueses Emine Boriçi, që në titull shpalos një veçanti dhe një vlerë të rëndësishme.

“Titulli i librit i shkon shumë për shtat historisë së vjetër të qytetit tonë të bukur, i cili ka një histori të begatshme, me plot figura profesionale, letrare, artistike dhe atdhetare. Studiuesja e mirënjohur, autore e disa veprave me karakter studimor në fushën e letërsisë dhe pjesëmarrëse në shumë simpoziume e seminare të gjuhës dhe kulturës shqiptare, ka marrë për objekt studimi poezinë e poetit tonë deçanas, Shkëlzen Ukëhaxhaj, përkatësisht një pjesë të poetikës së tij, atë më thelbësoren, temën e atdhetarizmit, por jo vetëm këtë segment. Ajo e ka zgjeruar trajtimin edhe më tej, duke e shtrirë te poetët tanë tashmë të traditës, si i madhi Dinë Mehmeti, Zenun Gjocaj e deri te poeti ynë simbol, Jusuf Gërvalla”, ka thënë Vishaj.

Autorja e librit, Emine Boriçi, ka theksuar se vargjet e Shkëlzen Ukëhaxhajt nuk kanë për synim të tregojnë historinë e Deçanit, të Kosovës apo të vendeve të tjera, por të përcjellin përjetimin përmes poetikës së brendshme letrare.

“Vargjet e Ukëhaxhajt nuk e kanë synimin të tregojnë historinë e Deçanit, historinë e Kosovës apo të vendeve të tjera, por është poetika e brendshme letrare ajo që do ta përcjellë përjetimin. Pra, fakti i takon historisë, por, sa i përket ndjesisë për historinë, z. Ukëhaxhaj na e ka dhënë këtë”, ka theksuar Boriçi.

Në fund të promovimit, poeti Shkëlzen Ukëhaxhaj ka falënderuar të pranishmit, kryetarin Ramosaj, autoren e librit, Emine Boriçi, si dhe përfaqësuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve të Lushnjës.

Emine Boriçi është studiuese e njohur e letërsisë dhe kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Lushnjës. Lushnja, qyteti historik që u bë një vatër e rëndësishme e patriotizmit shqiptar pas Shpalljes së Pavarësisë, zuri një vend të veçantë në historinë kombëtare me mbajtjen e Kongresit të Lushnjës në janar të vitit 1920. Ky kongres luajti një rol vendimtar në mbrojtjen e pavarësisë dhe të shtetësisë shqiptare në një periudhë kur trojet shqiptare rrezikoheshin nga pretendimet e fuqive të huaja.

Edhe ky studim është ndërtuar mbi vlerat kryesore letrare, historike dhe kombëtare të trevës së Deçanit dhe më gjerë.

Poezia e Shkëlzen Ukëhaxhajt prej kohësh përbën një pjesë të rëndësishme të poezisë deçanase dhe shqiptare.

Me këtë botim, studimi i autores Emine Boriçi i shtohet trashëgimisë së letërsisë shqipe, duke sjellë një kontribut në studimin e poezisë atdhetare dhe të krijimtarisë së poetit Ukëhaxhaj.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Deputetja e LDK, Hykmete Bajrami, ka reaguar lidhur me grevën…