Muharrem Jashari operohet me sukses, do të mungojë për disa javë
Mesfushori i Kosovës, Muharrem Jashari, i është nënshtruar me sukses një operimi dhe do të qëndrojë për disa javë jashtë fushës, përpara se të rikthehet në aksion.
Jasharit i është përsëritur lëndimi gjatë grumbullimit me Kosovën për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Për “Dardanët”, ai ka luajtur vetëm një orë në ndeshjen që përfundoi me barazim ndaj Izraelit.
Mesfushori është kthyer i lënduar te skuadra e tij ukrainase, LNZ Cherkasy, çka ka bërë që t’i nënshtrohet operimit, me synimin për të shmangur probleme të ngjashme në të ardhmen.
Në fakt, bëhet fjalë për përsëritjen e një lëndimi që e kishte mbajtur Jasharin për një kohë të gjatë jashtë fushës. Në sezonin aktual, 28-vjeçari ka regjistruar vetëm tri paraqitje për Cherkasyn.
Te klubi ukrainas presin që Jashari të jetë i gatshëm për lojë nga muaji i ardhshëm. Megjithatë, mbetet të shihet nëse ai do të ftohet nga Kosova për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve.



