ASK-ja organizon takimin ndërkombëtar Px – Meeting 2026
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) është mikpritëse e takimit ndërkombëtar Px – Meeting 2026, që zhvillohet më 21 – 22 tetor 2026.
Takimi bashkon përfaqësues të institucioneve statistikore dhe ekspertë për të shkëmbyer përvoja mbi publikimin digjital të statistikave zyrtare dhe përmirësimin e qasjes së publikut në të dhëna.
Për këtë takim janë regjistruar 126 pjesëmarrës, prej të cilëve 50 për pjesëmarrje fizike dhe 76 pjesëmarrës online.
Në listën e regjistrimit përfaqësohen rreth 35 shtete, ndër të tjera Suedia, Finlanda, Norvegjia, Danimarka, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Në fjalën e saj për hapjen e takimit, shefja e Kabinetit të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Flora Macula, theksoi rëndësinë e statistikave të besueshme për vendimmarrjen dhe planifikim të shërbimeve publike.
Ajo nënvizoi se të dhënat duhet të jenë të lehta për t’u gjetur, kuptuar dhe për t’u përdorur nga qytetarët, studiuesit, bizneset dhe institucionet.
Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati, në fjalën e mirëseardhjes vë në pah përvojën rreth 15-vjeçare të Kosovës në përdorimin e PX-Web.
Programi dyditor përfshin zhvillimet në PxWeb 2, përmirësimet në ndërfaqet për qasje automatike në të dhëna (API), vizualizimin e statistikave dhe shkëmbimin e përvojave praktike nga institucionet pjesëmarrëse.
Ekspertë nga institucionet statistikore të vendeve nordike prezantojnë zgjidhje dhe plane për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre mjeteve.
Për publikun, këto zhvillime lidhen me mundësinë për t’i kërkuar dhe krahasuar më lehtë statistikat sipas nevojave të tyre.
Portali ASKData që përdor Px-Web është një nga mjetet përmes të cilave ASK-ja i vë të dhënat zyrtare në dispozicion të përdoruesve.



