Deliu-Kodra kërkon monitorim të pavarur të Speciales: Shqetësimet për të drejtat e krerëve të UÇK-së kërkojnë përgjigje
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar sot, në seancën e Kuvendit, që institucionet e Kosovës të mbështesin krijimin e një mekanizmi profesional dhe të pavarur për monitorimin e procedurave pranë Dhomave të Specializuara, në përputhje me kornizën ligjore dhe garancitë për pavarësinë e gjyqësorit.
Duke iu referuar raportit të Avokatit të Popullit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ajo ka thënë se shqetësimet e ngritura lidhur me të drejtat e ish-drejtuesve të UÇK-së kërkojnë trajtim serioz dhe veprim institucional.
“Kur institucioni kushtetues për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ngre shqetësime të kësaj peshe, Kuvendi ka detyrim t’i shqyrtojë ato dhe të kërkojë veprim nga institucionet përgjegjëse”, ka deklaruar Deliu-Kodra.
Sipas saj, raporti ngre pikëpyetje lidhur me transparencën, llogaridhënien, barazinë e palëve dhe garancitë për një gjykim të drejtë e të paanshëm. Ajo e ka cilësuar veçanërisht shqetësues vlerësimin se mandati i Dhomave të Specializuara ka devijuar nga qëllimi fillestar.
Deputetja e PDK-së ka ngritur gjithashtu çështjen e mungesës së mbikëqyrjes demokratike, duke theksuar se institucionet e Kosovës nuk kanë pasur mundësi reale për të ushtruar mbikëqyrje dhe për të kërkuar llogaridhënie për funksionimin e këtyre dhomave.
Deliu-Kodra ka përmendur edhe shqetësimet lidhur me respektimin e jetës private dhe familjare gjatë vizitave në paraburgim, kohën në dispozicion të mbrojtjes dhe barazinë e palëve. Ajo ka kërkuar gjithashtu të qartësohet nëse mbrojtjes i është ofruar qasje e plotë në informacionet për origjinën dhe besueshmërinë e materialeve, veçanërisht të atyre të ardhura nga Serbia.
“Për PDK-në, drejtësia për krerët e UÇK-së mbetet një përgjegjësi e përhershme. Kjo përgjegjësi kërkon punë të organizuar, argumente profesionale dhe angazhim shtetëror të vazhdueshëm”, ka thënë ajo.
Deliu-Kodra ka theksuar se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kanë të drejtë në respektimin e plotë të garancive procedurale, ndërsa familjet e tyre kanë të drejtë të presin që institucionet e Kosovës ta përmbushin detyrën me seriozitet dhe vendosmëri.
Në emër të PDK-së, ajo ka kërkuar që shqetësimet e dokumentuara t’u adresohen zyrtarisht Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë, me kërkesë për vlerësim të pavarur dhe respektim të standardeve të të drejtave të njeriut.
“Parimi i parë dhe themelor i ndërtimit të demokracisë në një vend është llogaridhënia”, është shprehur ajo, duke shtuar se edhe Dhomat e Specializuara duhet t’i respektojnë parimet demokratike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.



