Kurti mesazh ushtarëve: Emri i kryekomandantit Adem Jashari, të jetë kujtesë se çfarë do të thotë të qëndrosh për atdheun
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sot në ceremoninë e diplomimit të ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kazermën “Adem Jashari”, ku diplomuan 515 ushtarë të rijnë.
Kurti u bëri thirrje rekrutëve të rinj që ta kryejnë me nder dhe vetëdije të lartë detyrën fisnike në shërbim të vendit.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë theksoi se pas uniformës ushtarake qëndron e gjithë shoqëria kosovare dhe dëshira e saj për të jetuar e ndërtuar të ardhmen në paqe.
Të dashur ushtarë, mos harroni kurrë se pas uniformës suaj janë qytetarët e Kosovës, familjet e tyre, fëmijët që duan të rriten në paqe dhe një popull që e ka fituar lirinë me shumë mund e vuajtje”, tha Kurti.
Ai nënvizoi gjithashtu se emri dhe vepra e kryekomandantit Adem Jashari mbeten udhërrëfyes i përhershëm i vetëmohimit dhe përkushtimit për atdheun.
Le të jetë emri i kryekomandantit legjendar Adem Jashari një kujtesë e përhershme se çfarë do të thotë të qëndrosh për atdheun. Ky është atdheu ynë. Ky është shteti ynë. Liria është amanet. Mbrojtja e saj është tërësi funksionesh që i ndajmë bashkë, përgjegjësi zyrtare dhe qytetare e përbashkët. Urime diplomimi. Rroftë Forca e Sigurisë së Kosovës. Rroftë Republika e populli ynë”, përfundoi kryeministri Kurti.



