Zelensky njofton për dëmet dhe humbjet e jetëve nga sulmet ruse në Ukrainë

25 tetor 2026 | 10:56

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se vetëm gjatë kësaj jave, Rusia ka lëshuar mbi Ukrainë rreth 1.600 bomba ajrore të drejtuara, 48 raketa të llojeve të ndryshme, përfshirë ato balistike,  si dhe pothuajse 2.300 dronë sulmues.

Ai ka thënë se çdo ditë po rritet numri i viktimave dhe të plagosurve si pasojë e këtyre sulmeve.

“Në mbrëmje, si pasojë e bombardimeve ruse, katër persona humbën jetën në rajonin e Dnipros”, ka thënë Zelensky.

Sipas tij, nga këto sulme të mbrëmdshme, 22 persona të tjerë mbetën të plagosur, mes tyre edhe një vajzë 11-vjeçare.

“Në Vinnytsia, një dron rus goditi një ndërtesë të lartë, duke lënë gjashtë persona të plagosur. Në Kharkiv, rusët goditën fillimisht një hipermarket ndërtimi, e më pas ndërmorën një sulm të dytë cinik ndaj shërbimeve të emergjencës që kishin mbërritur në vendngjarje; si pasojë, u plagosën edhe punonjësit e shpëtimit. Gjatë natës së kaluar, sulme pati gjithashtu ndaj termocentraleve, nënstacioneve elektrike, minierave të qymyrit, magazinave të grurit, qendrave tregtare dhe një terminali postar. Janë shkaktuar dëme në nëntë rajone”, ka thënë Zelensky.

Ai ka thënë se kjo është përgjigja e Rusisë ndaj diplomacisë dhe përpjekjeve për uljen e tensioneve.

Sipas tij, është tejet e rëndësishme që, paralelisht me procesin e negociatave, të mos ulet mbështetja për ata që mbrojnë jetën.

“Duhet zhbllokuar dërgimi i raketave përgjuese për sistemet “Patriot” – një çështje për të cilën evropianët janë dakordësuar tashmë. Gjithashtu, është e domosdoshme të vazhdojë mbështetja për aviacionin luftarak ukrainas, në mënyrë që të ofrohet mbrojtje kundër dronëve të tipit “Shahed”. Çdo paketë e tillë mbrojtëse, veçanërisht në prag të dimrit, ndihmon në shpëtimin e jetëve.”, ka deklaruar tutje presidenti ukrainas.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka…