Kryeprokurori i Shtetit për rastin në Pejë: Do të merren masa nëse konstatohen shkelje nga zyrtarët
Kryeprokurori i Shtetit ka ndërmarrë veprime për të shqyrtuar trajtimin institucional të rasteve të raportuara nga Arlinda Zekaj, e cila u vra më 25 tetor 2026 në Pejë.
Në kuadër të kompetencave ligjore, Kryeprokurori i Shtetit ka autorizuar koordinatorin nacional për rastet e dhunës në familje që të analizojë të gjitha veprimet e ndërmarra në trajtimin e rasteve në të cilat viktimë ka qenë Arlinda Zekaj.
Gjithashtu, nga kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, është kërkuar një raport i detajuar me shkrim për kronologjinë e trajtimit të rasteve të raportuara nga viktima.
“Po ashtu, nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, është kërkuar raport i detajuar me shkrim lidhur me kronologjinë e trajtimit të rasteve të së ndjerës, duke përfshirë identitetin e personave të raportuar dhe cilësimin juridik të rasteve; të dhënat për prokurorët kujdestarë dhe prokurorët që i kanë trajtuar rastet; veprimet procedurale të ndërmarra dhe kohën e ndërmarrjes së tyre; vendimet e nxjerra dhe arsyetimin përkatës; vlerësimin e rrezikut dhe masat e kërkuara ose të ndërmarra për mbrojtjen e viktimës; komunikimin me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante; si dhe trajtimin e shkresës së viktimës të datës 22.10.2026 dhe çdo informacion tjetër me rëndësi për vlerësimin e plotë të veprimeve të Prokurorisë”, është thënë në komunikatën e Prokurorisë.
Ndërkohë, Inspektoratit Policor të Kosovës i është kërkuar që, në kuadër të kompetencave ligjore, të ndërmarrë veprimet përkatëse hetimore dhe verifikuese lidhur me trajtimin e të gjitha rasteve të raportuara nga e ndjera në Policinë e Kosovës.
Këto veprime përfshijnë shqyrtimin e mënyrës së pranimit, evidentimit, vlerësimit dhe trajtimit të raportimeve të saj, si dhe të veprimeve të ndërmarra nga zyrtarët policorë, me qëllim të vlerësimit të ligjshmërisë së tyre dhe identifikimit të përgjegjësisë eventuale individuale dhe institucionale.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se rastin do ta trajtojë me seriozitetin dhe urgjencën e nevojshme.
“Pas pranimit dhe analizimit të dokumentacionit dhe raporteve përkatëse, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe institucionale, në përputhje me kompetencat përkatëse. Në rast se konstatohen shkelje të ligjit, neglizhencë apo mosveprime nga ana e zyrtarëve përgjegjës, do të ndërmerren masat përkatëse ligjore dhe do të kërkohet përgjegjësi për secilën shkelje të evidentuar, pa asnjë tolerim ndaj përgjegjësisë institucionale apo individuale”, është thënë në komunikatë.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka ritheksuar se çdo pretendim për mosveprim apo trajtim të papërshtatshëm institucional duhet të shqyrtohet në mënyrë të plotë, objektive dhe profesionale, me qëllim të sqarimit të të gjitha rrethanave dhe përcaktimit të përgjegjësive eventuale.



