Gjini për vrasjen e Arlinda Zekajt: Tetë gra të vrara brenda vitit janë tetë dëshmi se sistemi ynë nuk mbron askënd
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kritikuar institucionet për dështimin në mbrojtjen e grave nga dhuna.
Gjini ka veçuar fjalinë e shkruar nga Arlinda Zekaj, “Uroj që të mos jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, duke e cilësuar atë si një testament që dëshmon se viktima e kishte kuptuar rrezikun me të cilin përballej.
“Tetë gra të vrara brenda vitit janë tetë dëshmi se sistemi ynë nuk mbron askënd. Këtu po flasim për një shtet që thjesht nuk ekziston për njerëzit e vet”, ka shkruar Gjini në “Facebook”
Ai ka kërkuar përgjegjësi institucionale, duke theksuar se, nëse rasti kalon pa arrestime, shkarkime dhe dorëheqje të menjëhershme të personave që, sipas tij, e kanë injoruar alarmin e viktimës, institucionet nuk mund të konsiderohen më mbrojtëse të ligjit.
“Ato janë spektatore të krimit”, ka shkruar Gjini.
Pas vrasjes është publikuar edhe letra që Arlinda Zekaj i kishte dërguar Prokurorisë më 22 tetor 2026. Në të, ajo kishte kërkuar ndërmarrjen urgjente të masave, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si institucionet e kishin trajtuar rastin e saj.
Arlinda Zekaj është vrarë të dielën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuar për vrasjen është kunati i saj. Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari ndodhet në arrati.



