Të enjten votohet për Byronë dhe buxhetin

26 tetor 2026 | 14:59

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se të enjten, në orën 10:00, do të mbahet seanca plenare, në të cilën do të shqyrtohen Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Projektligji për ndarjet buxhetore.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu ka thënë se pret që Projektligji për Byronë të miratohet. Ajo ka theksuar se kjo nismë ka nisur para shumë vitesh, por ende nuk është finalizuar dhe zbatuar në praktikë.

“Mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit i kemi bërë të rregullta, çdo të hënë në orën 11:00, ndërsa çdo të enjte në orën 10:00 do të mbahen seancat plenare. Pra, sa herë që do të kemi çështje për të trajtuar si Kuvend i Republikës së Kosovës, natyrisht që do t’i trajtojmë pa vonesa, si në Kryesinë e Kuvendit, ashtu edhe në seancat plenare.

Në këtë drejtim, Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të enjten, në orën 10:00, të mbahet seanca plenare për trajtimin e çështjeve shumë të rëndësishme. E para është Projektligji për ndarjet buxhetore, por edhe projektligji shumë i rëndësishëm për Byronë, pra për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Kjo është një nismë që ka nisur para shumë vitesh, por fatkeqësisht ende nuk ka arritur të finalizohet dhe të jetësohet. Prandaj, uroj që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta miratojë këtë projektligj, duke i hapur rrugë fillimisht themelimit të Byrosë dhe më pas zbatimit në praktikë të qëllimit të këtij ligji”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka theksuar se Kuvendi do t’i trajtojë pa vonesa projektligjet që procedohen nga qeveria, si dhe do të shqyrtojë nisma të reja parlamentare.

“Është e rëndësishme që Kuvendi i Republikës së Kosovës, pa vonesa, t’i trajtojë projektligjet që vijnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, por edhe të ketë nisma të reja nga ana e Kuvendit. Siç e dini, Qeveria në agjendën legjislative ka paraparë 200 projektligje që do t’i procedojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Prandaj, sa herë që ato të procedohen në Kuvend, do të trajtohen pa vonesa dhe me prioritet”, ka theksuar Haxhiu.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se,…