Denigrimi i identitetit kombëtar dhe delegjitimimi i shtetit, një strategji për të mbuluar dështimin institucional
Shkruan: Hisen Berisha
Antikombëtarët si kryepropagandisti Kurti dhe propagandistet Haxhiu, Shfarc, Nagavci e përfitues të tjerë politikë në institucione, të cilët po e shfrytëzojnë fatkeqësinë e një zonje, një gruaje e një nëne, që pësoi në rrethana e për motive ende të pazbardhura plotësisht, duhet të mbajnë përgjegjësi politike dhe ligjore.
Denigrimi i identitetit kombëtar dhe delegjitimimi i shtetit nuk mund të shndërrohen në mjete për të mbuluar dështimet e pushtetit.
Hapi i parë në këtë rrethanë duhet të jetë dorëheqja e ministrit të Drejtësisë dhe e ministrit të Punëve të Brendshme, si dhe hetimi i procedurave dhe i veprimeve të organit ekzekutues të vendimit të gjykatës.
Ndërkaq, kryeministri, ministrat dhe zyrtarët që u deklaruan nga pozitat funksionale, e që përdorën etiketime denigruese ndaj identitetit tonë kombëtar dhe imazhit të shtetit e shoqërisë kosovare, duhet të përballen me përgjegjësinë për deklaratat dhe veprimet e tyre. Nëse provohen shkelje penale, ato duhet të trajtohen sipas ligjit për tradhti ndsj interesit kombëtar..
Cilësimi i situatës si «femicid», pa u sqaruar plotësisht rrethanat dhe motivet e rastit, po përdoret nga këta dështakë politikë e institucionalë si një rrëfim që rrezikon ta heq mendjen nga stërkeqja e institucioneve, deri në defunksionalizimin e tyre.
Problemi nuk është diskutimi serioz për dhunën ndaj grave, por shndërrimi i një tragjedie në instrument politik dhe përgjithësimi denigrues ndaj identitetit kombëtar, shtetëror dhe shoqërisë sonë.
Edhe në mendësinë kanunore dhe në historinë tonë, gruaja shqiptare ka pasur peshë, status dhe ndikim që nuk mund të reduktohen në karikaturën e një shoqërie të prapambetur siç u munduan ta kamuflojnë dështumin përfaqësuesit e errësirës dhe dekadencës, në foltoren e kuvendit.
Qoftë Teuta, mbretëresha e shtetit ilir të Ardianëve, e cila sundoi në vitet 231–228 para erës sonë, qoftë statusi i gruas në dispozita të caktuara të Kanunit (hasmi nuk vritet kur asht me grue), luftëtaret dhe heroinat e kombit, deri te gratë që kanë mbajtur të gjitha pozitat publike shtetërore deri edhe funksionin e presidentes në ditët e sotme, janë shembuj që ofron historia jonë, e që duhen trajtuar me argumente, jo me etiketime propagandistike.
Ndërkohë që në Zvicër, ku shqiptarët kanë pasur mundësi të marrin më së shumti nga kulturat e tre popujve kantonalë që e përbëjnë Zvicrën: arianët gjerman, galët francez e italianët e lashtë të civilizimit antik romak, grave iu njoh e drejta e votës në nivel federal vetëm më 7 shkurt 1971, në Austri e Gjermani me 1918, në Francë me1944, Italia me 1945, e popuj e shtete tjera evropiane deri në vitin 1984 Lihtenshtajni, por asnjë më heret se viti 1906 Finlanda, kur është lejuar femra të votojë, pra është konsideruar njeri me arsye e vetëdije.
Po ashtu, historia shqiptare njeh jo vetëm të drejtën e femres të votoj nga viti 1920, por edhe zhvillime të rëndësishme kulturore e arsimore. Akademia e Re e Voskopojës, e themeluar më 1744, dëshmon për ekzistencën e një tradite intelektuale, kulturore e arsimore në hapësirën shqiptare, e mbështetur nga intelektualë, kleri dhe tregtarët vendas.
Këto fakte meritojnë të trajtohen me seriozitet historik, pa i shndërruar në pretendime për epërsi absolute ndaj popujve të tjerë, por si fakte që demantojnë pretendimet e kësaj klase politike për denigrimin e kombit e shtetit.
Atëherë, pse u ngutën zyrtarët e apostrofuar ta cilësonin këtë akt kriminal, të dënueshëm me ligj e traditë, me termin «femicid», përpara se të sqaroheshin plotësisht rrethanat dhe motivet?
A po synohet që përgjegjësia konkrete për një rast tragjik të zëvendësohet me një gjykim të përgjithshëm për kulturën dhe traditën shqiptare?
A po duan që, duke ia faturuar gjoja kulturës sonë një traditë të ulët e patriarkale, të cilën shumë prej nesh e kundërshtojnë edhe mbi bazën e studimeve historike të Edith Durhamit, të mbulojnë pasojat e luftës politike kundër vlerave të kombit tonë, përfshirë edhe UÇK-në si vlerë sublime të luftës për liri?
A po përdoret kjo qasje për të zhvendosur vëmendjen nga dështimet e tyre institucionale dhe për të legjitimuar një projekt politik që, sipas këtij gjykimi, bie ndesh me interesin kombëtar?
A po synojnë që, përmes këtyre etiketave dhe faturimeve të fajit, t’ia atribuojnë shoqërisë dështimet që burojnë nga mosefikasiteti i institucioneve, të dobësuara nga ndërhyrja politike dhe kapja institucionale?
Jo, përgjegjësia nuk mund t’u faturohet abstraktisht institucioneve si tërësi, e aq më pak qytetarëve, pa u identifikuar zinxhiri konkret i përgjegjësisë. Procedurat Standarde të Operimit në polici ekzistojnë dhe janë në përputhje me ligjin dhe standardet bashkëkohore të policimit.
Prandaj, pyetja themelore është nëse këto procedura janë zbatuar siç duhet në tërë hierarkinë subordinuese, ku kanë dështuar mekanizmat e reagimit dhe kush duhet të mbajë përgjegjësi.
Këtu qëndron thelbi i akuzës dhe përgjegjësisë politike, që nga kapja institucionale, ndërhyrja politike në profesionalizmin operativ dhe rrënimi i sigurisë nacionale si koncept, për ta përqendruar pushtetin te personi i <liderit suprem>, sipas logjikëd politike moniste, në kundërshtim me parimet e shtetit demokratik.
Kjo është ajo që duhet hetuar dhe kundërshtuar, duke filluar nga çdo prirje që dobëson institucionet, cenon sigurinë kolektive e personale dhe e ushqen mosbesimin në aftësinë e shqiptarëve për të mbajtur shtet dhe rend demokratik.
Përtej kufijve të përgjegjësisë individuale, kjo qasje mund të lexohet edhe në kontekstin e një lufte propagandistike kundër identitetit kombëtar, e cila, sipas këtij interpretimi, ka rrënjë në elaborimet historike të akademisë dhe qarqeve nacionaliste serbe dhe sot po gjen jehonë te qarqe të caktuara jugonostalgjike edhe në Kosovë.
Për ta vlerësuar këtë gjykim, mjafton të shqyrtohen deklaratat publike të zyrtarëve që kritikohen këtu, përmbajtja e tyre dhe pasojat që mund të kenë për besimin në institucione dhe për imazhin e Kosovës.
Deklaratat denigruese nuk janë të parëndësishme, sepse ato mund të shndërrohen në mjete të përçarjes dhe të delegjitimimit të shtetit. Dhe nuk janë të largëta ditët kur të njëjtat etiketime janë përdorur në një rrethanë analoge e stisur pikërisht nga kriza kolektive në të cilën po jetojnë qytetarët. Këto fotma propagimi mund të përdoren sërish kundër kombit, nëse shoqëria nuk i kundërshton me argumente dhe përgjegjësi.
Dëshmi e kësaj qasjeje, sipas kritikës sime, është edhe deklarata e publikuar në media e ministres së Drejtësisë, Shfarc: «ARLINDA NUK IU DREJTUA QEVERISË SEPSE NDOSHTA DO TË KISHTE ANGAZHIM».
Një deklaratë e tillë ngre pikëpyetje serioze për kuptimin që një ministre ka për parimin e ndarjes së pushteteve atij legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, si dhe përgjegjësitë institucionale.
Qeveria nuk mund ta zëvendësojë gjykatën, prokurorinë apo policinë, as të ndërhyjë politikisht në ushtrimin e kompetencave të tyre.
Nëse kjo deklaratë nënkupton se angazhimi i qeverisë do të mund të ndryshonte trajtimin e rastit, atëherë kemi të bëjmë me një problem serioz të kulturës politike dhe të respektimit të parimeve demokratike. Kjo përbën shqetësim për llojin e pushtetit që po pretendohet të instalihet dhe meriton qaje të ashpër politike dhe sqarim institucional.
Sipas logjikës që del nga kjo deklaratë, a nuk mjaftonte fakti se çështja ishte denoncuar në polici e prokurori, ishte trajtuar në gjykatë dhe vendimi duhej të ekzekutohej ligjërisht?
Nëse paralajmërimet dhe procedurat ekzistonin, atëherë pyetja nuk është se kujt duhej t’i drejtohej qytetarja për të kërkuar ndërhyrje politike, por nëse institucionet përgjegjëse i kryen detyrat e tyre dhe pse mekanizmat e ekzekutimit të vendimit gjyqësor dhe mbrojtjes së viktimës mund të kenë dështuar.
Përgjegjësia duhet të shqyrtohet në tërë shtrirjen hierarkike institucionale, nga nivelet taktike dhe operative deri te niveli strategjik, deri te përgjegjësia në nivelet politike, në krye me kryeministrin Albin Kurti dhe strukturat e pushtetit që ai drejton.
Asnjë lider, asnjë ministre dhe asnjë strukturë politike nuk mund të qëndrojë mbi përgjegjësinë publike.
Një tragjedi nuk duhet të shndërrohet në instrument propagandistik.
Identiteti kombëtar nuk duhet të denigrohet për të mbuluar dështimet institucionale.
Dhe shteti nuk mund të jetë pronë e një lideri apo e një grupi politik.
Përgjegjësia, llogaridhënia dhe respektimi i ligjit janë themeli i një Republike demokratike.



