Supremja hedh poshtë si të palejuar ankesën e Blerim Isufajt për largimin nga pozita e kryeprokurorit
Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur si të palejuar ankesën e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufajt, kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për largimin e tij nga pozita udhëheqëse.
Sipas njoftimit të Gjykatës Supreme, vendimi është marrë në seancën e kolegjit të mbajtur më 27 tetor 2026, pas shqyrtimit të lejueshmërisë së ankesës kundër vendimit të KPK-së të datës 2 tetor 2026.
Gjykata ka vlerësuar se ankesa nuk mund të shqyrtohet në kuadër të kompetencës së saj të veçantë, të përcaktuar me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Në arsyetimin e saj, Supremja ka theksuar se largimi i një kryeprokurori nga pozita udhëheqëse nuk e bën automatikisht vendimin të natyrës disiplinore. Sipas Gjykatës, që një vendim të konsiderohet disiplinor, ai duhet të ketë për objekt konstatimin e përgjegjësisë disiplinore dhe përcaktimin e pasojave juridike që rrjedhin nga ajo përgjegjësi.
Në rastin konkret, Gjykata ka konstatuar se vendimi i KPK-së është nxjerrë në bazë të nenit 22, paragrafit 5, të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pa u konstatuar përgjegjësia disiplinore e ankuesit.
Për këtë arsye, vendimi është cilësuar si akt individual me karakter administrativ dhe jo si vendim disiplinor.
Gjykata Supreme ka bërë të ditur se ligjshmëria e këtij vendimi mund t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor përmes procedurës së konfliktit administrativ, para gjykatës kompetente sipas legjislacionit në fuqi.
Rrjedhimisht, kolegji i Gjykatës Supreme ka vendosur që ankesën e Isufajt ta hedhë si të palejuar, për shkak të mungesës së bazës ligjore për shqyrtimin e saj në këtë procedurë.



