Bayerni synon ta blindojë Olisen, drejtori i klubit e sheh si fitues të ardhshëm të Topit të Artë
Bayern Munichu dëshiron ta mbajë Michael Olisen për shumë vite në skuadër, ndërsa drejtori ekzekutiv i klubit, Jan-Christian Dreesen, beson se ylli francez ka potencialin për ta fituar Topin e Artë në të ardhmen.
Drejtuesit e kampionëve gjermanë po planifikojnë bisedime për vazhdimin e kontratës së sulmuesit anësor, marrëveshja aktuale e të cilit është e vlefshme deri në vitin 2029.
Bayerni synon ta mbajë Olisen larg interesimit të klubeve të tjera evropiane, pasi ai ka pasur paraqitje mbresëlënëse që nga transferimi nga Crystal Palace në vitin 2024.
Dreesen: Nuk shoh arsye pse Olise të mos e fitojë Topin e Artë
Duke folur për “Sport Bild”, Dreesen ka vlerësuar cilësitë e futbollistit francez dhe mundësinë që ai një ditë ta fitojë çmimin më prestigjioz individual në futboll, shkruan “GOAL”.
“Nuk ka nevojë të diskutojmë nëse Michael është një futbollist i talentuar, sepse padyshim që është. Nëse dikush do të më pyeste sot nëse ai mund ta fitojë Topin e Artë një ditë, përgjigjja ime do të ishte gjithmonë: nuk shoh arsye pse jo”, ka deklaruar Dreesen.
Megjithatë, drejtuesi i Bayernit ka theksuar se, për ta arritur këtë objektiv, Olise ka nevojë edhe për një skuadër që funksionon mirë rreth tij.
“Natyrisht, atij i duhet edhe një ekip që funksionon mirë. Këtë e ka këtu te ne dhe ai e vlerëson këtë”, ka shtuar ai.
Olise ka përfunduar në vendin e nëntë në votimin për Topin e Artë 2026, pas një sezoni të shkëlqyer me Bayernin dhe kombëtaren e Francës.
Gjatë sezonit 2025/26, ai ka regjistruar 27 gola dhe 35 asistime në 69 paraqitje në të gjitha garat.
Bayerni dëshiron ta zgjasë kontratën e francezit
Bayerni është i vendosur ta mbajë Olisen përtej vitit 2029, kur përfundon kontrata e tij aktuale.
Klubi e ka transferuar francezin nga Crystal Palace në vitin 2024 për rreth 53 milionë euro, ndërsa paraqitjet e tij kanë rritur ndjeshëm vlerësimin në tregun e transferimeve.
Dreesen ka konfirmuar se bisedimet për të ardhmen e futbollistit do të zhvillohen në momentin e duhur.
“Ne dëshirojmë që Michael të luajë për ne sa më gjatë që të jetë e mundur. Kur të vijë koha e duhur, do të diskutojmë me të për të ardhmen”, është shprehur drejtuesi i klubit bavarez.
Olise e ka nisur me ritëm të lartë edhe sezonin 2026/27, duke realizuar 10 gola dhe gjashtë asistime në 11 paraqitje në të gjitha garat, sipas të dhënave të publikuara nga “GOAL”.
Me paraqitjet e tij, francezi po konfirmohet si një nga lojtarët kryesorë të Bayernit, ndërsa klubi synon ta sigurojë të ardhmen e tij afatgjatë në Mynih.



