Kur të gjithë duan diçka dhe dikë ‘tjetër’
Arian Krasniqi
Në shumë drama bashkëkohore kriza në martesë, zakonisht, shfaqet si dramë e brendshme e dy njerëzve, pra e partnerëve në lidhje. Por, megjithatë, ndryshe ndodh me tekstin dramatik “Tjetri” të Valmira Thaqit, e cila me një qasje të veçantë e kthen këndvështrimin në një kahje tjetër – andej ku kriza është mall që shitet dhe këshilltarja e martesave është tregtare e ndjenjave të të tjerëve. Këtu, Emira, në të vërtetë Eda, i pret klientët në një garsonierë të ndarë në dysh, gjysmë zyrë e gjysmë dhomë banimi, dhe qëllimin e saj e ka të qartë: sa më shumë terminë, aq më afër jetës që ajo ëndërron. Dhe, në këtë mënyrë, thuajse çdo seancë mbaron njëlloj, me paratë në kasafortën nën shtratin e saj dhe me të njëjtën ankesë: më duhen më shumë klientë.
Drama “Tjetri” është shkruar në një akt (si njëaktëshe) dhe është e ndarë në dymbëdhjetë skena të shkurtra dhe ndjek një model dramaturgjik episodik, thuajse ritual: bie zilja ose ndizet monitori, hyn klienti, flitet, lihet pagesa, errësohet skena. Duket se autorja e përsërit këtë model strukturor me vetëdije, sepse përsëritja në këtë rast nxjerr edhe anën komike (përgjigjet e Emirës, “po, ju kuptoj”, të njëjtat këshilla të dhëna për raste krejt të ndryshme) dhe, njëkohësisht, zbulon zbrazëtinë e saj si karakter. Pastaj, pjesë e këtij modeli të përsëritjes janë edhe klientët të cilët kthehen, dhe pikërisht kthimet e tyre, në vlerësimin tim, ndërtojnë një hark të fshehtë: Bardhi, Ernesti dhe Fatoni vijnë tri-katër herë, Enisi dhe Lulja takohen fillimisht veç e veç në ekran e pastaj përballë njëri-tjetrit në zyrë, Iliri thërret dy herë, ndërsa zëra anonimë sjellin kërkesa nga më absurde të mundshme. Dhe, brenda këtij cikli, në skenën e fundit fijet, që Emira i ka mbajtur të ndara, bashkohen brenda hapësirës së saj: Lulja i bie derës, Enisi shfaqet në ekran për ta lajmëruar karrierën dhe lirinë e tij, Bardhi hyn në mes të skandalit, Iliri sjell, nga ana tjetër e linjës, një lajm tragjik, dhe në qendër qëndron foshnja që Ernesti ia ka lënë në prag me një letër dhe një zarf me para. Prandaj, përfundimi në këtë vepër i ngjan një farse që kthehet në gjyq publik, ku ironia më e hidhur vjen nga vetë mjeti i përdorimit (rrjeti social) që e ka ushqyer biznesin e Emirës, me një video dhe një etiketë drejtuar policisë. Në këso mënyre ky rreth i mbyllur e përmbush fillimin, kur Emira thotë se do t’i besonte më shumë një postimi në Instagram sesa një telefonate.
Në kuptimin përmbajtësor drama “Tjetri” ka disa shtresa kuptimore që mund të lexohen e interpretohen në variante të ndryshme. Këtu, tjetri është i dashuri ose e dashura tjetër, por edhe i treti, pra vetë këshilltarja, e cila e përshkruan veten si një e tretë pozitive. Për më shumë është edhe tjetri brenda vetes dhe “diçka tjetër”, që secili personazh dëshiron, e kërkon dhe e ëndërron pa e ditur çfarë. Ta zëmë, Enisi thotë me gjysmë gojë se ajo tjetër nuk është një grua tjetër, dhe Emira, në çastin e rrënimit, pranon se edhe ajo ka dashur diçka tjetër si të gjithë ata. Nën këtë shtresë qëndron një motiv i dytë që e mban tërë dramën: fëmija. Fatonit e dashura e tij i kërkon një fëmijë, Enisi nuk e do atë që gruaja e do me çdo kusht, Iliri e ka humbur të vetin, Bardhi e gjen veten përballë dëshirës së partnerit për prindërim, ndërsa Ernesti e përdor fëmijën si mjet shantazhi dhe pastaj ia lë Emirës. Kështu dhe në këtë mënyrë, çdo histori, sado e ndryshme, rrotullohet rreth së njëjtës plagë: kush e ka të drejtën, kush e ka frikën dhe kush e ka barrën e të qenit prind?
Vepra dramatike e Thaqit shquhet për një galeri të shumëllojtë të personazheve. Këtu Emira është figura qendrore, por edhe më e ndërlikuara. Ajo është e zhdërvjellët, ironike, mjeshtre e fjalëve të mira, që thuajse nuk kushtojnë asgjë, por pas maskës së saj si profesioniste del ajo vetmitarja, ajo gruaja që thuajse ka hequr dorë nga kujtimet e saj dhe tashmë ambiciet i janë zvetnuar. Monologu në skenën e njëmbëdhjetë, ku Emira flet për kujtimet që mbahen nëpër dollapë, të cilët gati askush nuk dëshiron t’i hapë, është çasti ku maska bie. Përgjatë veprës ka shumë raste kur veprimet dhe këshillat e saj shpesh janë qesharake, madje edhe të rrezikshme. Në këtë mënyrë Emira tërhjek penjtë e ngjarjeve, situatave dhe konfikteve në vepër. Në anën tjetër, Ernesti përfaqëson figurën e një biznesmeni që është i sigurt në vetvete, i cili flet një gegnishte të fortë e me plot sharm. Njëkohësisht, ky është figura më komike, por edhe më e errët e dramës: ka dy dashnore, një grua që “nuk numërohet”, tre milionë euro borxh, që i përdor si kredi besimi, një shtatzëni të inskenuar dhe një foshnjë e braktisur me kusht. Ndërsa Fatoni është ai burri me reputacion të ndërtuar mbi ilegalitetin dhe burgun, i cili e përjeton ndërgjegjen si paraqitje publike dhe zgjidhja për të vjen jo nga këshillat, por nga sëmundja e gruas. Në anën tjetër kemi edhe Enisin dhe Lulen që qëndrojnë në dy skajet e një martese që duket se po shuhet: ai në ikje drejt “lirisë personale”, ajo shpërthen në akuza me një gjuhë plot vulgaritet, që në këtë rast del më shumë si mënyrë për të folur dhe për ta shfaqur hapur dhimbjen e saj të brendshme sesa për të tjerët. Në këtë galeri personazhesh i veçantë është Bardhi, i cili si aktivist i komunitetit LGBT, përçon linjën e ironisë së hapur ndaj kontradiktave që përmban diskursi i kauzave të tij, në veçanti rreth idesë së përkufizimit dhe emërtimit “prindi 1 dhe prindi 2”. Trajtimi i kësaj çështje mund të duket provokuese nga ana e autores, por gjithsesi mendoj se kjo e bën dramën pjesë të debatit të kohës sonë. Këtu, Hanifja, në rolin e pastrueses, është zëri i popullit dhe kori komik i veprës, e cila me dialogët dhe batutat e saj e plotëson galerinë e personazheve të kësaj vepre.
Një element tjetër që duhet veçuar te kjo vepër dramatike është gjuha. Këtu, dramatistja Thaqi e lë çdo personazh të flasë me fjalorin e vet si shenjë e tipizimit dhe karakterizimit: shqipja e standardizuar dhe e rrjeteve sociale (boost, like, seen, tag) tek Emira dhe Bardhi, gegënishtja e ngrohtë, e fortë dhe me fjali proverbiale, është tipar dallues tek Ernesti dhe Hanifja. Po ashtu, në këtë vepër dialogët janë veprues dhe me funksion dramatik, por edhe të shpejtë, që në shumë raste ndërtohen mbi pyetje dhe përgjigje, që krijojnë hapësirë tensioni dramatik. Por, ka raste kur edhe nënteksti i dialogut ka një ritëm të caktuar dhe ngjyros zërin e brendshëm të personazheve. Te dialogët gjejmë edhe motive të përsëritura (“clink, clink” i Bardhit në vend të zilës, përpeqi i Hanifes, “më duhen më shumë klientë”), të cilat, edhe pse funksionojnë si refrene, ato jo vetëm që e ndërtojnë dhe e zhvillojnë ritmin dialogues, por e bëjnë tekstin të lexueshëm edhe jashtë skenës.
Autorja Thaqi në këtë vepër dramatike ka konceptuar, ndërtuar dhe zhvilluar situata me një sens të mirë të njohjes dhe funksionit të skenës teatrore: seanca me ekranin si dritare e dytë skenike, ku fytyrat shfaqen e zhduken me një klikim; grindja e çiftit në zyrë që kthehet në përplasje për një like; letra e Ernestit që e shndërron Emirën nga shitëse këshillash në një nënë të detyruar; pastaj telefonata që ndërpritet pikërisht kur klienti sjell lajmin më të rëndë etj. Pra, veçoria e kësaj drame është pikërisht përzierja zhanrore, prandaj herë mund të lexohet si komedi e zezë e shoqërisë, herë si satirë e industrisë së këshillimit dhe e kulturës së rrjeteve sociale. Megjithatë, në kulmin e vet rrjedha e ngjarjeve na çon në tragjedi të vërtetë, siç është rasti i kontrastit simbolik midis batanijeve mbi varrin e fëmijës dhe llogarisë së Emirës në kasafortë. Prandaj, themi se kjo luhatje zhanrore, mes qeshjes (gëzimit) dhe dhimbjes së personazheve, mund të konsiderohet si pika më e fortë e veprës, që natyrisht kërkon një vëmendje të shtuar regjisoriale në rastin e inskenimit.
Krejt në fund, më duhet të them se teksti dramatik “Tjetri”, i autores Valmira Thaqi, është një dramë që përmban konflikte psikologjike, emocionale dhe sociale dhe përmes një “syri të mprehtë” i flet kohës sonë. Është e kuptueshme se autorja përmes kësaj vepre nuk i jep përgjigje as martesës, as lirisë, as aktivizmit, por ajo e vë përballë pasqyrës së (vetë)reflektimit një shoqëri ku të gjithë kërkojnë një ndihmës të jashtëm për jetën e tyre dhe ku në fund ndihmësja, rezulton të jetë po aq e humbur sa edhe vetë kërkuesit, në mos më shumë. Për më tepër, kjo dramë lexohet lehtë dhe këndshëm dhe në gjykimin tim paraqet një material të bollshëm dhe të pasur për vënien në skenë.




