‘Deri këtu po mbërrin era e duhanit’, Haxhiu paralajmëron deputetët për ndërhyrjen e Inspektoratit

29 tetor 2026 | 11:31

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje deputetëve që ta respektojnë ligjin për ndalimin e pirjes së duhanit në ambientet e mbyllura, duke paralajmëruar se, në rast të shkeljeve, do të kërkojë ndërhyrjen e Inspektoratit dhe shqiptimin e gjobave.

Gjatë seancës së Kuvendit, Haxhiu ka thënë se pirja e duhanit po shkakton shqetësim edhe në zyrën e saj, pasi era e duhanit po depërton deri aty.

“Unë nuk po mundem me funksionu as vetë këtu si kryetare e Kuvendit, sepse deri këtu po mbërrin era e duhanit”, ka thënë Haxhiu.

Ajo u ka kërkuar deputetëve që të mos e shkelin ligjin e miratuar nga vetë Kuvendi i Kosovës.

“Kërkoj nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që ta respektojnë ligjin që e ka miratu ky Kuvend, që në ambientet e mbyllura të Kuvendit të mos pinë duhan”, ka deklaruar ajo.

Haxhiu ka paralajmëruar se, nëse deputetët vazhdojnë të pinë duhan në ambientet ku kjo ndalohet, do të kërkojë ndërhyrjen e Inspektoratit dhe shqiptimin e gjobave për shkelësit.

“Përndryshe, do të detyrohemi menjëherë që me kërku nga Inspektorati që të vijë në ambientet e Kuvendit dhe të marrin gjoba deputetët, të cilët e shkelin ligjin në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, është shprehur Haxhiu.

Ajo e ka cilësuar këtë si paralajmërimin e fundit për deputetët, duke theksuar se respektimi i ligjit duhet të nisë pikërisht nga institucionet që e miratojnë atë.

“Është thirrja e fundit; prandaj, ju lutem që të keni parasysh këtë, sepse kjo realisht edhe cenon ndoshta zbatimin e barabartë të ligjit, sepse nëse ne kërkojmë nga dikush tjetër me zbatu ligjin, do të duhej që ne të ishim vetë shembulli i parë se si zbatohet ligji që miratohet nga ky Kuvend”, ka thënë ajo.

Në fund, Haxhiu e ka përsëritur paralajmërimin se, nëse thirrja e saj nuk respektohet, do t’i drejtohet Inspektoratit për të ndërmarrë veprimet përkatëse.

“Është thirrja e fundit, dhe në qoftë se edhe kjo thirrje nuk respektohet, do të kërkoj nga Inspektorati që të vijë dhe të ndërmarrë veprime të përputhshme me përgjegjësitë”, ka përfunduar kryetarja e Kuvendit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Chelsea ka shfaqur interesim të madh për transferimin e Trent…