Kabashi-Ramaj i kërkon Kurtit shkarkimin e dy ministrave pas vrasjes së Arlinda Zekajt

29 tetor 2026 | 12:03

Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe ministres së Drejtësisë, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe politike pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Në fjalimin e saj në Kuvend, Kabashi-Ramaj ka thënë se Arlinda kishte kërkuar ndihmë dhe i kishte paralajmëruar institucionet se jeta e saj ishte në rrezik, por shteti nuk kishte arritur ta mbronte.

Duke iu drejtuar kryeministrit, ajo ka rikujtuar afatin prej 72 orësh që, sipas saj, ai vetë e kishte kërkuar për llogaridhënie.

“Nëse sot nuk kemi raport të plotë, përgjegjësi të identifikuara dhe masa konkrete, atëherë çfarë vlere ka fjala e kryeministrit? Më e pakta që mund të bëni është shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme dhe ministres së Drejtësisë”, ka deklaruar Kabashi-Ramaj.

Ajo ka theksuar se ministrat duhet të mbajnë përgjegjësi edhe kur institucionet që drejtojnë dështojnë.

“Ministrat nuk janë aty vetëm për të drejtuar institucione kur gjithçka shkon mirë. Janë aty për të mbajtur përgjegjësi edhe kur sistemi dështon”, ka thënë ajo.

Deputetja e PDK-së e ka kritikuar qeverinë për mungesën e rezultateve në mbrojtjen e grave.

“Siguria kombëtare nuk fillon vetëm në kufijtë tanë. Fillon në shtëpitë tona. Në rrugët tona. Në të drejtën e çdo vajze për t’u rritur pa frikë dhe të çdo gruaje për të jetuar e lirë”, është shprehur ajo.

Kabashi-Ramaj i ka kërkuar kryeministrit të ndërmarrë veprime konkrete dhe të marrë përgjegjësi për dështimet institucionale.

“Mos kërkoni më kohë për të shpjeguar dështimet. Merrni përgjegjësinë për t’i korrigjuar ato. Sepse një Republikë që nuk i mbron gratë e vajzat, ende nuk e ka përmbushur premtimin e lirisë së saj”, ka thënë Kabashi-Ramaj.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës,…