Apeli i Speciales ua lejon Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit nga 7 mijë fjalë për ankesat ndaj aktgjykimit dënues

29 tetor 2026 | 12:17

Dhoma e Apelit e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka miratuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për rritjen e kufirit të fjalëve në njoftimet e tyre të apelit kundër aktgjykimit të shkallës së parë.

Sipas vendimit të publikuar më 28 tetor, trupi gjykues e ka autorizuar mbrojtjen që njoftimet e apelit të përmbajnë deri në 7 mijë fjalë, në vend të kufirit të zakonshëm prej 3 mijë fjalësh.

Mbrojtja kishte kërkuar që kufiri të rritej në 9 mijë fjalë, duke argumentuar se gjatësia dhe kompleksiteti i rastit kërkojnë më shumë hapësirë për paraqitjen e bazave të ankesës.

Në arsyetimin e vendimit, trupi gjykues ka theksuar se aktgjykimi i shkallës së parë, i publikuar më 16 shtator 2026, përmban 2.089 faqe dhe është më i gjati i nxjerrë ndonjëherë nga Dhomat e Specializuara. Gjykata ka marrë parasysh gjithashtu kompleksitetin e çështjes dhe nevojën që palët t’i paraqesin në mënyrë kuptimplotë pretendimet e tyre në apel.

Megjithatë, gjyqtarët kanë vlerësuar se kërkesa për 9 mijë fjalë ishte e tepruar. Sipas tyre, cilësia dhe efektiviteti i një ankese nuk varen nga gjatësia, por nga qartësia dhe argumentimi i pretendimeve.

Dhoma e Apelit ka theksuar se njoftimet e apelit duhet t’i identifikojnë gabimet e pretenduara në aktgjykim dhe zgjidhjen e kërkuar, ndërsa argumentet e hollësishme duhet të shtjellohen në parashtresat e apelit.

Afati për dorëzimin e njoftimeve të apelit është caktuar më 27 nëntor 2026.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Superliga e Kosovës në futboll do të vazhdojë këtë javë…