Vitia nënshkruan vendimin për 313 vende të reja për specializim në mjekësi

30 tetor 2026 | 11:19

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka nënshkruar vendimin për hapjen e konkursit për shkollim specialistik për 313 vende, duke bërë me dije se ky është konkursi i katërt për specializim brenda më pak se katër vjetësh.

Përmes një postimi në “Facebook”, Vitia ka bërë të ditur se prioritet në këtë konkurs u është dhënë lëmive deficitare dhe nevojave të institucioneve shëndetësore rajonale.

Ai ka theksuar se, për herë të parë, Ministria e Shëndetësisë do të financojë edhe 20 vende për Mjekësinë Familjare.

Risi e këtij konkursi, sipas Vitisë, është poentimi përmes sistemit digjital, ku kandidatët do t’i plotësojnë të dhënat në formë elektronike, ndërsa sistemi do t’i përllogarisë pikët në bazë të kritereve të përcaktuara në konkurs.

Pas verifikimit nga Bordi, secili kandidat do të ketë qasje në pikët e veta.

Ministri Vitia ka njoftuar gjithashtu se së shpejti do të shpallet edhe një konkurs i ri për shkollim specialistik, i cili do të jetë në funksion të nevojave të institucioneve shëndetësore private.

“Më shumë mundësi për mjekët tanë, më shumë transparencë në proces!”, ka shkruar Vitia.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kombëtarja e Kosovës U15 e ka përmbyllur pjesëmarrjen në FIFA…