Schuebel dhe Ismaili diskutojnë për anëtarësimin e Kosovës në SEPA
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka zhvilluar takimin e tij të parë me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ku kanë diskutuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Sipas njoftimit të BE-së, në takim është diskutuar për përfitimet që anëtarësimi në SEPA do t’u sillte bizneseve dhe familjeve në Kosovë, përmes pagesave dhe transfereve më të shpejta, më të lehta dhe më të lira drejt dhe nga vendet e kësaj zone.
Ambasadori Schuebel ka ritheksuar përkushtimin e Bashkimit Evropian për ta mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
“BE-ja mbetet e përkushtuar për ta mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së, përfshirë përmes integrimit gradual në Tregun e Përbashkët të BE-së”, ka deklaruar Schuebel.



