Avokati i Populli: Gjykata Speciale ka shkelur të drejtat e njeriut në rastin e liderëve të UÇK-së

30 tetor 2026 | 14:43

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, gjatë raportimit të sotëm në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, ka deklaruar se Gjykata Speciale në Hagë ka dështuar të garantojë respektimin e standardeve për një gjykim të drejtë në rastin e katër krerëve të UÇK-së.

Sipas Qelajt, me këtë veprim, Gjykata Speciale ka shkelur të drejtat e njeriut. Ai ka theksuar se, kur një konstatim i tillë bëhet nga Avokati i Popullit i një vendi, ai duhet të mbështetet në analizë dhe vlerësim të plotë të situatës.

“Mendoj që Dhomat e Specializuara në Hagë kanë dështuar për të garantuar respektimin e standardeve për një gjykim të drejtë. Me këtë i kanë shkelur të drejtat e njeriut. Dhe kur e thotë Avokati i Popullit i një vendi këtë fakt, nuk guxon me e thënë pa një analizë dhe pa një vlerësim të krejt situatës që ai ka mund ta bëjë. A ka kompetenca që ta bëjë Avokati i Popullit apo jo është fare e parëndësishme karshi konstatimeve që unë i bëjë dhe nuk kemi marrë përgjigje deri sot. Përveç sfilatave vizuale të kryetares së Gjykatës Speciale kur na ka treguar se sa e mirë është kjo gjykatë dhe si i respekton standardet e të drejtave të njeriut, asnjë sqarim në çështjet që unë i kam ngritur tash e sa vite nuk e kam marrë prej kësaj gjykate”, ka thënë Qelaj.

Ai është shprehur se, sa herë që ka reaguar për shkeljen e të drejtave të njeriut ndaj krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë, i është thënë se “nuk ke mandat”. Sipas tij, kjo ka qenë e pandershme, gjë të cilën ia ka thënë edhe kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

Qelaj ka thënë se shqetësim për të ka qenë edhe reagimi i faktorit ndërkombëtar. Ai ka vlerësuar se thirrjet për të mos ndërhyrë në drejtësi janë bërë me qëllim që të mos ketë transparencë lidhur me atë që ka ndodhur.

“Sa herë e kam hapur gojën, më është thënë se ‘nuk ke mandat’. Për mua kjo ka qenë e pandershme, mungesë respekti dhe këtë ia kam thënë në takimin e 13 majit që e kam pas në zyrë me kërkesë të saj. Nuk mundet askush të vijë në një institucion të Kosovës dhe të thirret si autoritet i Kosovës t’i tregoj kufijtë dhe limitet se deri ku mund të shkojë ushtrimi i kontrollit dhe mbikëqyrjes së respektimit të të drejtave të njeriut. Kushdo që merret me të drejtat e njeriut e di se ato janë universale. Për mua më shqetësues ka qenë fakti i reagimeve të faktorëve ndërkombëtarë sepse nuk kanë arritur ta kuptojnë sepse s’kanë dashur ta kuptojnë këtë fakt, por gjithmonë janë thirrur që të mos ndërhyhet në drejtësi, e unë kurrë këtë nuk e kam bërë. Por, sa duket që krejt thirrjet ‘mos ndërhyni në drejtësi’, janë bërë me qëllim që të mos ketë transparencë në raport me atë çka ka ndodhur”, ka thënë ai.

Gjykata Speciale në Hagë ka dënuar më 16 shtator katër krerët e UÇK-së me gjithsej 81 vjet burgim: Hashim Thaçin me 25 vjet, Kadri Veselin me 18 vjet, Jakup Krasniqin me 25 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar më 28 shtator një deklaratë përmes së cilës kundërshtohet aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilin e ka cilësuar si të padrejtë.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka marrë më 14 tetor vendim për formimin e Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Marco Guida është përzgjedhur për të drejtuar derbin e Milanos…