Kjo është letra e dorëheqjes së Gazmend Hoxhës drejtuar Albin Kurtit
Policia e Kosovës ka publikuar letrën e dorëheqjes së Gazmend Hoxhës nga pozita e Drejtorit të Policisë, më 30.10.2026.
Arsye e dorëheqjes, siç ceket në letër është rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, më 25.10.2026.
Dhuna në familje, si‡ ka shkruar ai, mbetet një fenomen thellësisht shqetësues, pavarësisht angazhimit të vazhdueshëm të Policisë.
“Andaj, duke marrë për bazë ngjarjen tragjike në Vitomiricë të Pejës, vrasjen makabre të nënës, bijës dhe motrës sonë, Arlinda Zekaj, pas një reflektimi të thellë dhe me ndjenjën e përgjegjësisë institucionale e morale, duke e vënë interesin e shtetit dhe dinjitetin e institucionit mbi çdo interes personal, unë jap dorëheqje morale nga pozita e Drejtorit të Policisë së Kosovës”- ka shkruar Hoxha në letrën drejtuar Kurtit.
Hoxha ka deklaruar se këtë vendim ka marrë me bindjen se përgjegjësia udhëheqëse nuk përfundon vetëm te veprimet individuale.
“Kjo dorëheqje nuk është braktisje e Policisë së Kosovës. Është një mesazh se institucionet tona duhet të jenë më të forta se individët dhe se besimi publik duhet të mbrohet me përgjegjësi të vërtetë. Këtë vendim e marr me përgjegjësi të plotë, duke qenë i vetëdijshëm për peshën e detyrës që kam ushtruar dhe për përgjegjësinë që bart ky institucion ndaj qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.” – ka shkruar ai, teksa ka renditur një përmbledhje të rezultateve në hetimin e krimeve të luftës, luftimin e fajdesë dhe rastet “WHITE STAR” / “SKYECC.
Hoxha ka shkruar se në Kosovë ka më pak vrasje, më pak krime të rënda, më pak grabitje dhe më shumë siguri për të gjithë qytetarët e saj. Përmes letrës, ai ka thënë se gjatë periudhës së tij, Policia është përballur me sfida të ndryshme, duke filluar operacionet kundër targave ilegale, laboratorëve të drogës dhe fermave të kriptovalutave, largimin e barrikadave ilegale, sfidimin nga organizatat terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, deri te dorëheqjet masive të zyrtarëve policorë të komunitetit serb.
Po ashtu, sipas tij, Policia e Kosovës u përball me sulmin në Komunën e Zveçanit më 29.05.2023, si dhe me operacionin kundër grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë më 24.09.2023 dhe menaxhimin, hetimin dhe arrestimin e personave të dyshuar për sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.
Policia, siç ka shkruar ai, ka shënuar suksese edhe në luftimin e krimit të organizuar, trafikimit me drogë dhe armë, korrupsionit, krimeve kibernetike, mashtrimeve me kriptovaluta dhe formave të tjera të kriminalitetit të rëndë.
Vrasja e e Arlinda Zekës
Për disa ditë me radhë po protestohet para Qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë pas vrasjes së Arlinda Zekaj. Arlinda Zekaj u vra të dielën, më 25.10.2026, në Vitomiricë të Pejës.
Sipas të dhënave të Policisë, dyshohet se vdekja e saj ka ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë, me sëpatë nga ish-kunati i saj Albert Sylaj. Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit thuhet se i dyshuari Albert Sylaj nga hakmarrja e paskrupullt e ka privuar nga jeta ish-kunatën e tij, pasi kjo e fundit e kishte raportuar vëllanë e tij (ish-burrin e saj) për dhunë në familje.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, pasi e ndjera ishte kthyer në shtëpi nga stacioni policor në Pejë, ku e kishte raportuar dhunën nga ana e ish-bashkëshortit të saj, i pandehuri Albert Sylaj në shenjë hakmarrjeje për ndalimin e vëllait të tij (Jeton Sylajt) nga Policia, në momentin kur viktima kishte hyrë në dhomën e saj të fjetjes i pandehuri e merr sëpatën dhe hyn në dhomën ku ishte viktima.
Sipas Prokurorisë, viktima ishte munduar të fshihej pas derës dhe i pandehuri fillon ta godasë në pjesë të ndryshme të trupit, kryesisht në kokë, e për pasojë ajo mbetet e vdekur në vend të ngjarjes.
Vrasja, sipas dosjes, kishte ndodhur në prani të djalit të mitur të viktimës, të fëmijëve të mitur të dorasit dhe nënës së dorasit. Vetëm pak kohë para se të vritej, rreth orës 19:00 të së dielës, më 25.10.2026, Arlinda kishte raportuar dhunë në familje në Stacionin Policor në Pejë, sipas njoftimit të Policisë.
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e Agron Hasanajt, drejtorit të Stacionit Policor në Pejë, dhe 10 zyrtarëve të tjerë policorë nga hierarkia komanduese.
KALLXO.com ka mësuar se në mesin e zyrtarëve për të cilët është rekomanduar suspendimi janë Nue Nikolla, shef i Hetimeve Rajonale; Faik Jahmurari, komandant i stacionit; Dervish Haxhiaj, zëvendëskomandant; Faruk Muqolli, shef i hetimeve; shefi i operativës së stacionit në Pejë dhe Sami Lekaj, komandant i nënstacionit në Vitomiricë. Po ashtu, janë rekomanduar për suspendim edhe katër hetues, dy gra dhe dy burra.
Suspendimet janë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës. Masa suspendimi ka pasur edhe në Prokurorinë Themelore në Pejë.
Këshilli Prokurorial i Kosovës, më 29.10.2026, ka marrë vendim për suspendimin nga detyra të kryeprokurores Lumturije Vuçetaj dhe zëvendëskryeprokurores së Pejës, njëherësh koordinatores për dhunë në familje, Arlinda Nallbani Gacaferri.
Ndërsa, sot, më30.10.2026 ka dhënë dorëheqje edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Ndërkaq, Albert Sylaj, i dyshuari kryesor për vrasjen e Arlinda Zekajt, dhe Jeton Sylaj, ish-bashkëshorti i saj, i arrestuar pas denoncimit të Arlindës në ditën e vrasjes, janë vendosur në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz. KALLXO.com ka mësuar se të dy vëllezërit janë vendosur në pavijone të ndryshme të këtij burgu.



