“Vrasje e rëndë” në Gjilan: Arrestohet si i dyshuar babai i 27-vjeçarit që u gjet i vdekur bashkë me foshnjën
Policia e Kosovës ka arrestuar një 65-vjeçar, i dyshuar lidhur me vdekjen e një 27-vjeçari dhe një foshnje, të cilët u gjetën pa shenja jete mëngjesin e së dielës në një shtëpi në fshatin Demiraj të Gjilanit.
Sipas njoftimit të Policisë, dyshohet se ngjarja ka ndodhur brenda familjes, ndërsa personi i arrestuar është babai i viktimës mashkull.
I dyshuari, 65-vjeçar, është ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit.
Rasti ishte raportuar më 1 nëntor, rreth orës 08:47, kur Policia kishte pranuar informacion për dy trupa të pajetë në një shtëpi në Demiraj. Viktimat janë një person i gjinisë mashkullore, i lindur më 1999, dhe një foshnjë.
Në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitet policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku ishte konstatuar vdekja e të dy personave.
Policia ka bërë të ditur se rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë”, ndërsa trupat e pajetë, me vendim të prokurorit, janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Hetimet po vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Njoftimi i plotë i policisë:
“Arrestohet personi i dyshuar lidhur me rastin ‘vrasje e rëndë’
Më 01.11.2026 rreth orës 08:47, Policia e Kosovës ka pranuar informacion se në një shtëpi në fshatin Demiraj të komunës së Gjilanit, dyshohet për dy trupa të pajetë, një person i gjinisë mashkullore i vitit të lindjes 1999 dhe një foshnjë.
Me urgjencë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se të dy personat janë pa shenja jete.
Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes, dyshohet se incidenti ka ndodhur brenda familjes, ku në cilësinë e personit të dyshuar është arrestuar babai i viktimës (gjashtëdhjetë e pesë vjeçar), i cili me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.
Në bashkëpunim me prokurorin e Shtetit janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe hetimore për ndriçimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit, i cili është cilësuar si ‘vrasje e rëndë’
Me vendim të prokurorit të Shtetit trupat e pajetë dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe në koordinim me Prokurorinë, mbesin të përkushtuar në hetimin dhe trajtimin profesional të rastit.”



