Specialja urdhëron publikimin e versioneve më pak të redaktuara të transkripteve të dëshmive të 29 dëshmitarëve
Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se Trupi Gjykues, gjatë muajit tetor, ka urdhëruar publikimin e versioneve më pak të redaktuara të transkripteve të dëshmive të 29 dëshmitarëve në çështjen gjyqësore për krime lufte kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
Specialja ka bërë të ditur se dëshmitë e dëshmitarëve, të cilat më parë janë klasifikuar si konfidenciale, rishikohen vazhdimisht, me qëllim që më shumë prej tyre të bëhen publike në të ardhmen.
“Në tetor 2026, Trupi Gjykues urdhëroi të bëheshin publike versione më pak të redaktuara të transkripteve të dëshmive të 29 dëshmitarëve në çështjen gjyqësore për krime lufte Thaçi dhe të tjerët. Ky vendim vijon pas vendimeve të mëparshme, me të cilat u bënë publike dëshmitë e 20 dëshmitarëve, të cilat më parë ishin konfidenciale.
Këto vendime pasqyrojnë natyrën publike të proceseve dhe përkushtimin e gjykatësve ndaj transparencës. Gjatë gjykimit, shumica e dëshmitarëve kanë dhënë dëshmi plotësisht ose pjesërisht në seancë publike, ndërsa 61 dëshmitarë kanë dëshmuar pa asnjë masë mbrojtëse.
Dëshmitë e dëshmitarëve, të cilat më parë janë klasifikuar si konfidenciale, rishikohen vazhdimisht, me qëllim që më shumë prej tyre të bëhen publike në të ardhmen, duke siguruar njëkohësisht mbrojtjen e vazhdueshme të viktimave dhe dëshmitarëve”, është thënë në njoftimin e Speciales.



