Tahiri kundërshton cenimin e pavarësisë së Akademisë së Drejtësisë, kërkon përfshirjen e rekomandimeve të Venecias
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka ngritur shqetësime lidhur me Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë, duke vlerësuar se ai mund të cenojë pavarësinë institucionale të këtij institucioni.
Përmes një postimi në “Facebook”, Tahiri ka thënë se Akademia e Drejtësisë ka rol të rëndësishëm në ndërtimin e kapaciteteve profesionale të sektorit të drejtësisë, veçanërisht të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK).
Ai ka theksuar se Akademia duhet të ketë kapacitete të mjaftueshme për zhvillimin e programeve moderne dhe cilësore të trajnimit, por njëkohësisht duhet ta ruajë pavarësinë e saj institucionale.
“Akademia e Drejtësisë duhet të jetë një institucion i fortë dhe profesional trajnimi. Ajo duhet të ketë kapacitete të mjaftueshme për të zhvilluar programe moderne, cilësore dhe të përshtatura me sfidat e kohës, në mënyrë që të ndihmojë sektorin e drejtësisë të ecë përpara në reformat e veta. Por, po aq e rëndësishme është që Akademia ta ruajë pavarësinë e saj institucionale si Agjenci”, ka shkruar Tahiri.
Deputeti ka vlerësuar se projektligji ngre shqetësime për cenimin e kësaj pavarësie, duke kërkuar që rekomandimet e Komisionit të Venecias të përfshihen në ligj.
“Nga ajo që kam parë, ky projektligj ngre shqetësime serioze për cenimin e kësaj pavarësie. Prandaj, është thelbësore që rekomandimet e Komisionit të Venecias të merren parasysh dhe të përfshihen në ligj”, ka shkruar Tahiri.
Në fund, Tahiri ka thënë se reforma në drejtësi nuk mund të ndërtohet duke dobësuar institucionet që kanë për detyrë ta mbështesin atë.
“Reforma në drejtësi nuk mund të ndërtohet duke dobësuar institucionet që duhet ta mbështesin atë”,ka shkruar Tahiri.



