Babai i Dianës: Jam ende skeptik për drejtësinë, por mirë që u ngrit aktakuza
Gëzim Kastrati, babai i Diana Kastratit, e ka mirëpritur ngritjen e aktakuzës në mungesë ndaj ish-partnerit të vajzës së tij, e cila u vra para 15 vjetësh. Megjithatë, ai ka thënë se vazhdon të jetë skeptik për drejtësinë.
“Është iniciativë e mirë që ka filluar në mungesë. Shpresoj që të marrë një epilog, ashtu siç duhet të jetë. Kryesi ta marrë dënimin e merituar. Uroj që këto raste të mos përsëriten. Për fat të keq, këto raste nuk po ndalen”, ka thënë ai për “Klan Kosova”.
I pyetur nëse i janë rritur shpresat për drejtësi, Kastrati ka theksuar se ende nuk ka besim të plotë në proces.
“Akoma jam skeptik. Por s’kemi çka të bëjmë tash. Jemi duke jetuar në një vend të tillë dhe, siç po rrjedhin gjërat, akoma nuk ka ndonjë mendim të gjyqësisë që akoma është duke punuar. Akoma jam skeptik, por duhet ta pranoj”, është shprehur ai.
Kastrati ka treguar se familja nuk ishte njoftuar më herët për arsyet e mosngritjes së aktakuzës. Sipas tij, vetëm së fundmi është kontaktuar me telefon dhe është njoftuar për një shkresë lidhur me gjykimin në mungesë.
Seanca për shqyrtimin kryesor të rastit është caktuar për 10 nëntor, në orën 09:30.



