Asambleja Parlamentare e NATO-s: Përmirësimi i sigurisë në Kosovë duhet të shoqërohet me përparim politik
Përmirësimi i situatës së sigurisë në Kosovë duhet të shërbejë si shtysë për përparim politik, forcim të institucioneve demokratike dhe rritje të besimit ndërmjet komuniteteve. Kështu ka vlerësuar një delegacion i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, pas misionit faktmbledhës në Prishtinë, më 28 dhe 29 tetor.
Në raportin e publikuar të martën, parlamentarët kanë theksuar se, ndonëse situata e sigurisë është përmirësuar, tensionet e vazhdueshme dhe kërcënimet hibride mbeten sfida për stabilitetin afatgjatë.
Gjatë vizitës, delegacioni i Komitetit Politik të Asamblesë Parlamentare të NATO-s ka diskutuar me përfaqësues të institucioneve të Kosovës për synimet e vendit drejt integrimit euroatlantik dhe kontributin në sigurinë rajonale dhe atë të aleatëve.
Sipas raportit, kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë prezantuar prioritetet strategjike të Kosovës, përfshirë rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen, blerjen e pajisjeve dhe rekrutimin e personelit. Po ashtu, janë paraqitur përpjekjet për avancimin e trajnimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe ndërveprueshmërisë së saj me forcat aleate.
Udhëheqësit e Kosovës kanë ritheksuar se “anëtarësimi në NATO mbetet prioritet strategjik i vendit”, si dhe kanë nënvizuar mbështetjen politike dhe praktike për Ukrainën.
Në diskutime është theksuar gjithashtu se ekziston konsensus i gjerë politik dhe shoqëror në Kosovë në favor të anëtarësimit në NATO dhe bashkëpunimit të ngushtë me Aleancën.
Një pjesë e raportit i është kushtuar rolit të KFOR-it dhe ndryshimeve në mjedisin e sigurisë. Sipas parlamentarëve, misioni vazhdon të jetë thelbësor për ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet.
Raporti përmend edhe optimizimin gradual të pranisë së KFOR-it, duke theksuar se NATO-ja ruan mundësinë e përshtatjes së forcave në rast të përkeqësimit të situatës.
“KFOR-i vazhdon të jetë thelbësor për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet. Në funksion të përmirësimit të situatës së sigurisë, Aleanca ka nisur optimizimin gradual të pozicionimit dhe pranisë së KFOR-it, në përputhje me rrethanat e ndryshueshme në terren. Megjithatë, NATO-ja ruan mundësinë e përshtatjes së pranisë së forcave të saj në rast të përkeqësimit të situatës së sigurisë”, thuhet në raport.
Parlamentarët kanë vlerësuar se përparimi në fushën e sigurisë dhe ai politik duhet të ecin paralelisht. Në këtë kontekst, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, është cilësuar si element kyç për stabilitetin e qëndrueshëm në rajon.
“Thelbësore do të jetë normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i zotimeve ekzistuese në të ardhmen e afërt”, është theksuar në raport.
Ndër prioritetet e evidentuara janë forcimi i sundimit të ligjit, mbikëqyrja parlamentare, llogaridhënia institucionale dhe rritja e besimit të komuniteteve joshumicë.
Sipas delegacionit, këto synime kërkojnë mbrojtje efektive të të drejtave gjuhësore dhe pronësore, pjesëmarrje politike dhe qasje të barabartë në shërbimet publike.
Në Prishtinë kanë qëndruar përfaqësues të Nënkomitetit për Marrëdhëniet Transatlantike (PCTR) dhe Nënkomitetit për Partneritetet e NATO-s (CPNP). Gjatë vizitës, ata janë takuar me kryeministrin, ministra të kabinetit qeveritar, udhëheqës të grupeve parlamentare nga pozita dhe opozita, përfaqësues të komuniteteve joshumicë, si dhe përfaqësues të KFOR-it, UNMIK-ut dhe EULEX-it.
Në takime kanë marrë pjesë edhe ekspertë të pavarur dhe përfaqësues të shoqërisë civile.



